Fjalimi i Fatmir Sejdiut, më 28 nëntor 1997, kur për herë të parë doli publikisht UÇK-ja

  • 28 November 2015 - 10:12
Fjalimi i Fatmir Sejdiut, më 28 nëntor 1997, kur për herë të parë doli publikisht UÇK-ja

Fatmir Sejdiu, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të LDK-së, kishte mbajtur një fjalim, më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e vrasjes së profesorit Halit Geci nga policia serbe. Sejdiu, kishte marrë pjesë në varrim në emër të Ibrahim Rugovës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe kishte thënë se pavarësisht vrasjeve dhe dhunës, rruga e pavarësisë së Kosovës nuk do të ndalet.

Vetëm pak minuta pas përfundimit të fjalimit të tij, aty kishin folur për herë të parë në emër të UÇK-së, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj e Mujë Krasniqi. 

Fatmir Sejdiu, para 18 viteve, pikërisht më 28 Nëntor të vitit 1997, kishte mbajtur një fjalim në varrimin e profesorit Halit Geci, i vrarë një ditë më parë, derisa kishte qenë dukë dhënë mësim në një shkollë afër fshatit Llaushë të Skenderajt.

Varrimi i Gecit ka ndodhur më 28 Nëntor në fshatin Llaushë, në të cilin kishin marrë pjesë mijëra qytetarë nga mbarë Kosova e vende tjera.

Në këtë ceremoni kishin folur disa përfaqësues të institucioneve të Kosovës.

Në emër të Presidentit Rugova dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës kishte folur Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Fatmir Sejdiu, i cili kishte shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.

Me këtë rast, Sejdiu kishte thënë se, pavarësisht dhunës dhe vrasjeve rruga e pavarësisë së Kosovës nuk do të ndalet.

“Pavarësisht intensitetit dhe dhunës dhe terrorit nuk mund të na ndalin në rrugën pavarësisë, të cilën e kemi filluar dhe këmbëngulim se do ta realizojmë… Ju thërras që të këmbëngulim rrugën e filluar”, kishte thënë Fatmir Sejdiu.

Pas fjalimit të Sejdiut dhe të tjerëve në skenë, ishin ngjitur për herë të parë pjesëtarët e UÇK-së – Rexhep Selimi, Daut Haradinaj e Mujë Krasniqi, të cilët kishin folur para pjesëmarrësve të varrimit të Halit Gecit.

Ky varrim, i mësuesit Halit Geci, mbahet mend edhe për faktin që aty, për herë të parë, pjesëtarë të maskuar të UÇK’së kishin folur para qytetarëve të Kosovës.