Policia: Ja pse nuk e arrestuam Albin Kurtin në manifestim

  • 28 November 2015 - 15:37
Policia: Ja pse nuk e arrestuam Albin Kurtin në manifestim

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se manifestimi i partive opozitare në Prishtinë ka përfunduar pa incidente.

Policia ka thënë se ishte në dijeni për praninë e ish liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i kërkuar me Fletë Arrest të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në këtë manifestim, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Por, me qëllim të mos eskalimit të situatës gjatë manifestimit, policia nuk ka ndërmarrë veprime për ndalimin e tij.

Kjo është komunikata e plotë e policisë:

Policia e Kosovës  duke u bazuar në autorizimet dhe detyrat ligjore, duke pas parasysh edhe rëndësinë e krijimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët, veçanërisht në realizimin e aktiviteteve festive për nder të 28 Nëntorit, ka ndërmarrë veprimet e saja ligjore dhe profesionale që të gjithë qytetarët të ndihen të sigurt dhe të lirë në realizimin e këtyre të drejtave themelore.

Qëllimi i angazhimeve dhe planifikimeve policore  ka qenë  përmbushja dhe realizimi i objektivave të parapara si:

*Siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit.

*Qytetarët tanë të kenë mundësi çdo aktivitet festiv ta realizojnë të qetë dhe të sigurt.

*Ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative dhe akteve kriminale që mund të shkaktojnë jostabilitet, që në çfarëdo mase do të rrezikonte qetësinë publike apo cenojnë të drejtën e qytetarëve për të festuar lirshëm etj.

Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e aktiviteteve festive dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve.

Zbatimi i ligjit, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, lëvizja e lirë dhe mbarëvajtja e qetë e kësaj dite festive ka qenë prioritet i PK-së, duke përfshirë edhe sigurinë ndaj personave fizikë, juridikë si dhe parandalimit të dëmtimit të pronës shoqërore dhe atyre private.

Policia e Kosovës ka poseduar informacione lidhur me pjesëmarrjen e personit të kërkuar me Fletë Arrest të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, mirëpo bazuar në vlerësimet e situatës, dhe me qëllim të mos eskalimit të situatës gjatë manifestimit nuk ka ndërmarrë veprime për ndalimin e tij, por që këto veprime do të ndërmerren nga Policia ashtu siç parashihet me Fletë Arrest.

Policia e Kosovës bazuar në planifikimet e saja ka pasur të angazhuar zyrtar policor të mjaftueshëm për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, mbarëvajtjen e qetë të manifestimit e cila ka filluar rreth orës 14:00, dhe falë edhe pjekurisë dhe kulturës së lartë të qytetarëve, manifestimi ka përfunduar rreth orës 14:50 në mënyrë të qetë pa incidente.

(Kosova Sot)