Përgjaket festa, Albin Kurti në paraburgim

  • 29 November 2015 - 08:35
Përgjaket festa, Albin Kurti në paraburgim

Ditë dhune policore më 28 Nëntor

Deputetit të lëvizjes “Vetëvendosje” Gjykata Themelore ia cakton 30 ditë paraburgim

Protesta e opozitës dje përfundoi e qetë, por policia e armatosur dhe e blinduar ka ndërhyrë të shtunën në mbrëmje në selinë e lëvizjes “Vetëvendosje”, duke arrestuar deputetin Albin Kurti dhe 95 aktivistë të tjerë. Shumë aktivistë të prangosur nga policia dolën të përgjakur nga dhuna policore. Reagimi i partive opozitare ishte i ashpër

 

Sado që fjalimin e tij para qytetarëve të mbledhur në shesh e përfundoi qetë, Albin Kurti nuk mundi të vazhdojë festimin me familje për festen aq të dashur për të, 28 Nëntorin. Ai u arrestua nga Policia e Kosovës ditën e shtunë, në selinë e lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila po zbatonte urdhërarrestin që u lëshua për të dhe tre deputetët e tjerë opozitarë për shpërndarjen e gazit lotsjellës në Kuvend. Njësitet speciale të Policisë së Kosovës rrethuan zyrën e VV-së, qindra policë kishin bllokuar çdo rrugë pranë zyrave të kësaj lëvizje, ku qëndronin Albin Kurti dhe aktivistët e tjerë të kësaj lëvizje. Pothuajse çdo skutë që të çonte tek selia e kësaj lëvizje ishte e bllokuar nga policia. Madje, edhe qarkullimi për mjete ishte i bllokuar në shumë rrugë të kryeqytetit. Me arrestimin e Kurtit bëhet i dyti deputet opozitar që shkon në paraburgim, pas deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi. Policia ndërkaq i ka arrestuar 95 aktivistë të kësaj lëvizje, gjatë ndërhyrjes në objektin ku e ka selinë “Vetëvendosje”. Kurti është futur në autoblindë dhe u largua nga selia e ‘Vetëvendosjes’. Gjykata Themelore ka caktuar këtë masë të sigurisë pas kërkesës së Prokurorisë. Masa e sigurisë prej 30 ditë paraburgim i është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer tri vepra penale: pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, mbajtje të armës dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Policia e Kosovës, përmes një komunikate, ka thënë se ka qenë e detyruar të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për sigurimin e lokacionit dhe ndalimit të personave të kërkuar. "Bazuar në dyshimet e bazuara se personi i kërkuar me urdhërarrest (Kurti) dhe persona të tjerë gjenden brenda në objektin e selisë së ‘Vetëvendosjes’, njësitet relevante policore, në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent, janë detyruar të veprojnë brenda në objekt për të realizuar dhe zbatuar urdhërarrestet", thuhet mes tjerash në komunikatën e policisë...(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)

Image