Albin Kurti në burgun e sigurisë së lartë

  • 29 November 2015 - 11:30
Albin Kurti në burgun e sigurisë së lartë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është dërguar në burgun e sigurisë së lartë në Dyz, në rrethinë të Podujevës, raportojnë mediat në Prishtinë.

Kurti është arrestuar të shtunën për hedhje të gazit lotsjellës në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës.

Atij i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se mbi 100 aktivistë të saj janë arrestuar nga forcat e rendit.

Por, bazuar në informacionet e policisë, 95 persona janë shoqëruar për në stacionet policore, për intervistime dhe procedura të mëtutjeshme.

Partitë opozitare në Prishtinë, që disa muaj, pengojnë zhvillimin e seancave të Kuvendit.

Ato kërkojnë nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, që të tërheqë nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nga marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, ditë më parë, është arrestuar edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi.

Fletarrestime janë lëshuar edhe për dy deputetë të tjerë të Vetëvendosjes: Albulena Haxhiun dhe Faton Topallin.