Vendet e Quintit, të kënaqura me demonstratën paqësore

  • 29 November 2015 - 16:58
Vendet e Quintit, të kënaqura me demonstratën paqësore

Ambasadat e Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA’së e kanë përgëzuar policinë e Kosovës dhe qytetarët për manifestimin e djeshëm të opozitës ku nuk u shënua asnjë incident.

Ndërkohë, kanë kërkuar nga të gjithë përfaqësuesit politikë t’i nënshtrohen ligjit. Kanë thënë se do të përcjellin edhe rastin e Albin Kurtit, duke kërkuar respektimin e procedurave si dhe transparencë të plotë lidhur me këtë rast.

Ky është reagimi i përbashkët i Ambasadave

Jemi të kënaqur që demostratat ishin paqësore dhe duam ti përgëzojmë të gjithë, e sidomos përfshirjen e Policisë së Kosovës.

Ne besojmë në fuqinë e dialogut si mjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike dhe inkurajojmë të gjitha palët t’i shfrytëzojnë mundësitë e ndryshme për dialog, duke përfshirë këtu edhe brenda Kuvendit.

Jemi të përkushtuar në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Ne besojmë që asnjëri nuk është mbi ligjin. Ne presim dhe kërkojmë që të gjitha procedurat të përcillen me përpikëri duke i shërbyer transparencën, e sidomos në rastet e ndjeshme politike dhe ne do të vazhdojmë të përcjellim nga afër rastet ku përfshihen anëtarët e Kuvendit.

Ashtu siç është rasti në shtetet tona, presim që në demokracinë e barabartë për të gjithë edhe përfaqësuesit politik t’i nënshtrohen ligjit pa marrë parasysh cilës parti ata i takojnë.