Qytetarët: 28 Nëntori u keqpërdor nga të dy palët (Video)

  • 29 November 2015 - 18:55
Qytetarët: 28 Nëntori u keqpërdor nga të dy palët (Video)

Përfundimi i marshit të djeshëm të opozitës në qendër të kryeqytetit nuk i la vend festave të 28 Nëntorit. Vëmendja më pas kaloi tek selia e Vetëvendosjes, ku edhe u arrestua ish lideri i kësaj partie me shumë aktivistë të tjerë. Shumë nga qytetarët e Kosovës nuk e kaluan qetë ditën e djeshme.

Pamjet e forcave të mëdha të policisë dhe aksioni që ndodhi në rrugën Luan Haradinaj, ishin pamje aspak të dëshiruar për shumë nga të intervistuarit e anketës së sotme të KosovaPressit.

Të lodhur nga pamje të tilla, qytetarët mendojnë se askush nuk po pyet më për ta, sa pyesin për pozitat e larta që politikanët kanë dhe duan ti kenë.

Interesimi i të intervistuarve duket se ka nisur të zbehët rreth çështjes se kush e ka me të drejtë e kush jo. Qytetarët e të gjitha moshave, shumica të prekur që festat e 28 Nëntorit i kaluan me ankthe e pamje aspak festive, sot kërkonin reflektim dhe maturi nga të dyja palët.

Shumë nga ta nuk preferonin të flisnin para kamerave, ngase tregonin se janë lodhur nga larja e hesapeve të politikës, përderisa populli vuan për kushte më të mira në shtetin që aq shumë u hoq për ta bërë.