Opozita marrëveshjet tashmë i konsideron “të mbyllura”

  • 29 November 2015 - 19:25
Opozita marrëveshjet tashmë i konsideron “të mbyllura”

(E plotësuar)  Ka përfunduar mbledhja e liderëve të Opozitës, e filluar në ora 17:00.

Pas mbledhjes së opozitës, liderët e partive kanë dalë në një konferencë të përbashkët.

I pari që i është drejtuar mediave, ka qenë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Dje në Prishtinë kanë ndodhur ngjarje jo të mira. Është sulmuar selia e një partie. Çdokush që pajtohet me atë veprim e ka gabim, sepse shteti po kthehet në një shtet policor”, ka deklaruar Haradinaj.

“Dje në manifestim ishin dhjetëra mijëra qytetarë, të cilët kishin një porosi – marrëveshjet nuk kalojnë. Qeveria, për hakmarrje dhe për faktin se demarkaconi dhe asociacioni kanë vdekur, ka sulmuar selinë e një partie”, ka shtuar ai.

Pas Haradinajt, ka folur edhe Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Vlerësimi ynë i përbashkët është se marrëveshjet tashmë janë të anuluara – janë anuluar nga qytetarët e Kosovës”, deklaroi Ymeri.

“Si të anuluara, ato janë një fitore e madhe për Republikën e Kosovës”, shtoi ai, transmeton lajmi.net.

“Shfrytëzoj rastin që të falënderoj qytetarët të cilët me mbështetje fizike i dhanë fitoren Republikës së Kosovës, fitoren e rrëzimit të këtyre marrëveshjeve”, deklaroi Fatmir Limaj, lider i Nismës.

“Pushteti nga dje e shfrenoi veten duke e kthyer veten në një shtet policor, duke shtypur opozitarët, burra, gra, djem e vajza të cilët mendojnë ndryshe”, shtoi Limaj, transmeton lajmi.net.

Në fund, liderët e partive opozitare deklaruan se nesër do të dalin me komunikatë për ngjarjet e fundit, kurse nuk pranuan pyetje nga gazetarët.

 

.................................

Ende po vazhdon takimi i opozitës në selinë e AAK-së. Tashmë ky takim ka hyrë në orën e tretë.

Burime brenda takimit të opozitës që po mbahet në selinë e AAK-së, thonë se deri me tash është folur vetëm për seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës.

“Deri me tash është folur vetëm për seancën e nesërme, por jo edhe për hapat tjerë pas asaj që ndodhi dje”, ka thënë një burim i Indeksonline.