Topalli: Deklarimi i Ambasadave të Quntit lë përshtypjen e njëanësisë

  • 29 November 2015 - 22:22
Topalli: Deklarimi i Ambasadave të Quntit lë përshtypjen e njëanësisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Faton Topalli ka reaguar pas deklaratës së amabsadave të Quintit, për protestën e djeshme.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai thotë se ambasadorët e shteteve të Quntit në Kosovë lënë përshtypjen se nuk i kanë lexuar Raportet e Progresit të Bashkimit Evropian të cilat akuzojnë Qeverinë për bashkëpjesëmarrje në krim, korrupsion dhe ndikim të politikës në gjyqësor dhe polici.

Ky është shkrimi i plotë i Faton Topallit në Facebook:

Përfaqësoni edhe në Kosovë të njëjtat vlera si në vendet tuaja

Ambasadat e Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, në një reagim të përbashkët, kanë shprehur kënaqësinë e tyre për rrjedhën paqësore të manifestimit të opozitës me 28 nëntor, por duke përgëzuar edhe policinë për reagimin e sajë. Ne ndajmë gjithsesi mendimin me ambasadorët e vendeve të përmendura për fuqizimin e ligjit në Kosovë dhe angazhohemi që askush të mos qëndroj mbi ligjin. Konsiderojmë që vlerësimi i rrolit të policisë në manifestimin e 28 nëntorit është në kundërshtim me praktikat në vendet e tyre sepse në asnjërin prej këtyre vendeve opozita dhe deputetët e saj nuk ndiqen dhe persekutohen nga qeveria dhe policia. Kërkesa e këtyre vendeve për të filluar zbatimin e ligjit së pari përmes ndjekjes së opozitës le përshtypjen e keqe te njëanësisë dhe le të hapur çështjen nëse këta ambasadorë i kanë lexuar fare Raportet e Progresit të Bashkimit Evropian viteve të fundit të cilat akuzojnë qeverinë për bashkëpjesëmarrje në krim të organizuar, korrupsion dhe ndikim të politikës në gjyqësor dhe polici. Ne jemi për dialog me pozitën, por kjo po ndjek rrugën e kundërt duke përdorur dhunën policore për komunikim, duke përjashtuar Kuvendin nga marrja e vendimeve për çështje të rëndësishme për vendin siç është demarkacioni dhe marrëveshja për “Zajednicën”. Kur Kuvendi vihet para aktit të kryer tregon që Qeveria nuk është e interesuar për dialog. Ne presim që ambasadorët e vendeve të përmendura t’i promovojnë edhe në Kosovë të njëjtat vlera si në vendet e tyre në raport me opozitën dhe sundimin e ligjit, sepse kjo rrit besueshmërinë dhe shton mirëkuptimin mes vendeve mike dhe të interesuara për bashkëpunim.