“Diplomë për traktor”!

  • 30 November 2015 - 08:43
“Diplomë për traktor”!

Islami për pakë javë do të bëhet me diplomë. Familjes Shala, nga Rahoveci do ti shtohet edhe një krah pune i kualifikuar. Ata krenohen që edhe djali i tyre, tani mbanë titullin e ekonomistit të diplomuar, përkrah qindra rahovecianëve.

Mësimet dhe titulli që ka marrë në Universitetin e Prishtinës, shumë pak do ti hyjnë në punë në profesionin që ai ushtron bashkë me familjen.

“Hala nuk di me dalluar mirë farën cilësore të specave”, thotë me shaka Islam Shala, i cili tash e tutje detyrë kryesore do të ketë lërimi e arave me traktorin e tipit Rakovicë, trashëgim nga gjyshi dhe mbjelljen e farës së specit.

“Ekonomikun e kamë zgjedhë me gjet naj punë ma të mirë. Por ma mirë ish kanë me shku në bujqësi se edhe ashtu punë tjetër s’ka”, tregon ai.

Islami megjithatë është i kualifikuar në një fushë.

Por, janë afro 300 mijë kosovarë që merren me bujqësi në Kosovë e që e kanë të kryer vetëm shkollën fillore.

Edhe ata që zgjedhin të vazhdojnë shkollimin sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave nuk e preferojnë bujqësinë a ndonjë drejtim tjetër profesional.

Çdo vit mbi 32 mijë maturantë vazhdojnë studimet universitare vetëm në Universitetin e Prishtinës.

Prej tyre 7,108 zgjedhin fakultetin ekonomik, 4,818 atë juridik dhe 4,046 në edukim, e 1,098 prej tyre kanë zgjedhur fakultetin e bujqësisë, shumë pak atë të shkencave natyrore e inxhinierike edhe pse sipas statistikave të nxjerra nga shteti këto janë profesionet të cilat premtojnë një të ardhme më të mirë.

Vetëm gjatë periudhës 2013/2014 në Universitetin e Prishtinës në nivelin bachelor dhe master kanë diplomuar mbi 6 mijë studentë.

Në mesin e tyre ka me së shumti nga Fakulteti Ekonomik dhe Edukimit ku numri i të diplomuarve për të dy fakultetet arrin afër 3 mijë, duke u përcjellë nga Juridiku dhe Filozofiku rreth një mijë studentë të diplomuar.

Mos interesimi për të studiuar në disa fakultete dhe interesimi i madh në disa fakultete tjera, po shkakton hiperproduksion të kuadrit në disa profesione dhe mungesë në disa të tjera.

Dukagjin Pupovci, njohës i çështjeve të arsimit ka treguar së në Universitetin e Prishtinës dominojnë programet nga fusha e shkencave shoqërore edhe përkundër asaj që kërkesat me të mëdha për njerëz të kualifikuar janë në fushat e inxhinierisë dhe prodhimtarisë.

“UP ka 194 programe të ndryshme studimore, prej të cilave rreth 70% janë nga fusha e shkencave shoqëror, humane, arteve dhe edukimit. Vet ky fakt sugjeron se në këto fusha ka një hiperproduksion kuadri. Nga ana tjetër, vetëm 11% të studentëve ndjekin studimet në fushat e inxhinierisë dhe prodhimtarisë ku kërkesa për njerëz të kualifikuar është më e madhe”, ka thënë Popovci.

Ai ka thënë se të gjitha hulumtimet që janë bërë në Kosovë deri tani tregojnë se punëdhënësit kanë vërejtje serioze në përgatitjen e të diplomuarve për kryerjen e detyrave të punës.

“Kjo ndodhë për shkak të mungesës së ndërlidhjes në mes të programeve mësimore dhe nevojave të tregut të punës, si dhe për shkak të mungesës së punës praktike dhe praktikës profesionale”.

Në Kosovë sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se bujqit janë fuqia punëtore më e pashkolluar ku 28.0 për qind e kanë përfunduar vetëm shkollën fillore, 5.4 për qind nuk e kanë përfunduar as shkollën fillore, ndërsa 3.1 për qind nuk kanë shkollim fare, transmeton gazeta Fjala.

Po ashtu në aspektin e trajnimeve për tregun bujqësor të punës ka mungesë të madhe ku vetëm 95 për qind e udhëheqësve të punës bujqësore kanë vetëm përvojë të punës e nuk kanë kryer ndonjë përgatitje paraprake.