Seanca në ora 11:00, opozita ende pa qëndrim

  • 30 November 2015 - 09:19
Seanca në ora 11:00, opozita ende pa qëndrim

Kryesia e Kuvendit ka mbajtur një mbledhje të shkurt, në të cilën përfaqësuesja e vetme e opozitës e pranishme në këtë takim, Aida Dërguti nga Lëvizja Vetëvendosje është pyetur nëse opozita do të jetë pjesë e seancës së sotme të Kuvendit, raporton gazeta Kosova Sot Online.

Por, Dërguti ka thënë se opozitarët ende nuk kanë marrë një qëndrim nëse do të jenë pjesë e seancës, mirëpo ata do të mblidhen në një takim nga ora 9:30 lidhur me këtë.

Ndërkohë, kryesia vendosi që seanca plenare e Kuvendit, të fillojë ashtu siç është paraparë më herët.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, pas mbledhjes ka thënë se mbledhja e sotme është mbajtur me iniciativë të nënkryetarit Xhavit Haliti, i cili sipas tij, ka pasur një iniciativë që ti jepet edhe një shanc opozitës.

Ai ka ftuar opozitën që të jetë pjesë e senacës, por ka paralajmëruar se seanca do të mbahet pavarësisht nga qëndrimi i opozitarëve.

Ndërkohë, sot në objektin e Kuvendit janë vërejtur masa të shtuara të forcave policore.

Gjithashtu janë bllokuar edhe ashensorët, ndërsa shkallët e secilit kat janë të mbikëqyrura nga forcat të shumta të policisë.

(Kosova Sot)