Nesër vendoset për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO

  • 30 November 2015 - 15:50
Nesër vendoset për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO

Ministeriali i Ministrave të Jashtëm të NATO-s do të vendosë nesër të ftojë Malin e Zi që të bëhet pjesë e Aleancës. Deklarata u bë sot nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i cili gjatë një konference për shtyp informoi median mbi pikat kryesore të diskutimeve në Ministerialin e Ministrave të Jashtëm.

Stoltenberg deklaroi se një tjetër pikë e diskutimeve është Afganistani. NATO do të vazhdojë të mbështesë forcat afgane. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi si çështje të tretë në diskutime, marrëdhëniet Turqi-Rusi pas incidentit të fundit të rrëzimit të një avioni rus nga forcat turke.

“Informacionet tona janë të njëjta me ato të deklaruara nga Turqia për sa i përket cenimit të hapësirës ajrore dhe ne mendojmë se Turqia ka të drejtë të mbrojë hapësirën e saj”, u shpreh sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Ai shtoi se në axhendën e diskutimeve është edhe strategjia e mbrojtjes; masat ndaj ISIS si edhe rikonfirmimi i mbështetjes për Ukrainën.

Ai tha se NATO ka ofruar çdo lloj mbështetje për Ukrainën dhe do të vazhdojë ta bëjë. Sekretari Stoltenberg vlerësoi më tej rolin qe ka marrë aktualisht Rusia duke u bërë pjesë e luftës kundër ISIS.

“Me pëlqen që shoh një rol të Rusisë në luftën kundër ISIS-it, shpresoj të fokusohet aty", u shpreh Sekretari, ndërsa konfirmoi se NATO do të vazhdojë të jetë e fokusuar në Siri por dhe çka ndodh në Ukrainë.