Kerry në Kosovë për korrupsionin, dialogun dhe ISIS-in

  • 30 November 2015 - 16:37
Kerry në Kosovë për korrupsionin, dialogun dhe ISIS-in

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, do të vizitojë Kosovën të mërkurën, për të nënvizuar “shqetësimin e Perëndimit” mbi përparimin e ngathtë që prej përfundimit të luftës në Kosovë, 16 vjet më parë.

Agjencia e lajmeve Reuters citon një zyrtar të lartë amerikan të ketë thënë se vizita e shkurtër e zotit Kerry “ka për synim të dëshmojë edhe mbështetjen për procesin demokratik të shtet-ndërtimit, për forcimin e sundimit të ligjit dhe për bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ky zyrtar citohet të ketë thënë gjithashtu se zoti Kerry do të shtrojë edhe çështjen e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftimet në Siri, para se të niset për në Beograd, për të marrë pjesë në takimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, punimet e të cilit, siç thuhet, do të mbizotërohen nga lufta në Siri dhe rreziku i grupit militant Shteti Islamik.