Nga një muaj paraburgim për 6 aktivistët e VV'së

  • 30 November 2015 - 18:37
Nga një muaj paraburgim për 6 aktivistët e VV'së

​Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti i Përgjithshëm, në seancën e sotme dëgjimore, ka vendosur masën e paraburgimit prej 1 muaji për 6 të pandehur të arrestuar më 28 nëntor në Prishtinë.

Gjykata, përmes një njoftimi dërguar mediave, ka thënë se këtë vendim e ka marrë sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj tani të pandehurve E.B, P.D, E.A, L.H e A.H për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” nga neni 410 par. 2 të KPRK-së dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

Ndërsa i pandehur V.A është dënuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” nga neni 410 par. 2 të KPRK-së, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” dhe për shkak të veprës penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 333par. 3 lidhur me par. 1 të KPRK.

Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi që ndaj të njëjtëve të caktojë paraburgimin në kohëzgjatje prej 1 muaji, duke llogaritur kohën nga data e ndalimit të tyre.

Të gjithë të pandehurit u arrestuan më datë 28.11.2015.