Avokatët: Dënimet në “Skandalin e Pasaportave” shumë të rrepta

  • 30 November 2015 - 18:41
Avokatët: Dënimet në “Skandalin e Pasaportave” shumë të rrepta

Gjykimit në rastin e njohur si “Skandali i pasaportave” po i vie fundi. Gjykata e Apelit sot ka bërë shqyrtimin e ankesave të të dënuarve për keqpërdorimin e 1.4 milionë eurove në rastin e pasaportave biometrike. Apeli kishte paraparë shqyrtimin e këtyre ankesave më 26 tetor, por atëherë shqyrtimi nuk ndodhi, pasi nuk ishin sjellë të akuzuarit nga qendra e paraburgimit.

Në seancën e sotme, palët mbrojtëse të rastit kanë kërkuar nga Gjykata e Apelit, lirimin e të pandehurve nga të gjitha akuzat, ose kthimin e rastit në rigjykim.

“Asnjë veprim kriminal nuk është kryer nga të pandehurit. Dënimet ndaj tyre janë shumë të rrepta, dhe kërkojmë nga Gjykata që t’i shqyrtoj ato”, ka thënë avokati i Natali Velija, Ali Beka.

Gjykata e Apelit pritet që brenda një muaji të dal me vendimin e saj.

Gjykata ende nuk ka vendosur për ankesat e palës mbrojtëse, mbi pasurinë që do t’u konfiskohet të pandehurve.

“Janë dy banesa, njëra e të pandehurës, Natali Velija, dhe tjetra e të pandehurit Ergyn Dogani, si dhe një pronë e një restoranti, të cilat janë në vlerë më të madhe se vepra penale, pra shuma e keqpërdoruar”, ka thënë Gjykatësi. Ai madje tha se ende nuk është caktuar një afat se deri kur duhet të paguhet kompensimi ndaj palëve të dëmtuara.

Në dhjetor të vitit të kaluar Natali Velija, e akuzuara kryesore e këtij procesi u dënua me 12 vjet burg dhe 25 mijë euro gjobë, ndërsa Fisnik Blakaj me 11 vite burg me 25 mijë euro gjobe. Edhe gjashtë të akuzuar tjerë morën dënime nga tetë deri në një vit burg.