Kabineti gjerman miraton pjesëmarrjen në koalicionin anti-IS

  • 01 December 2015 - 11:02
Kabineti gjerman miraton pjesëmarrjen në koalicionin anti-IS

Kabineti i Gjermanisë ka miratuar planet për t’iu bashkuar koalicionit ndërkombëtar që lufton grupin militant Shteti Islamik (IS) në Siri.

Mandati për të angazhuar deri në 1,200 ushtarë është miratuar sot nga ministrat, ndërsa duhet të miratohet edhe nga Parlamenti.

Nuk është ende e qartë se kur do të diskutohet nga ligjvënësit, por koalicioni i kancelares Angela Merkel ka shumicën parlamentare dhe miratimi duket i sigurt.

Pas sulmeve terroriste në Paris, Merkel ka pranuar kërkesën e Francës për të ofruar mbështetje për operacionet e saj kundër Shtetit Islamik në Siri.

Gjermania planifikon të dërgojë në rajon avionë zbulues, avion cisterna dhe një luftanije, të cilat do të jenë në role mbështetëse.

Gjermania nuk do të angazhohet në mënyrë aktive në luftime.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë për të përditshmen gjermane Bild se nuk pret që Gjermania të ketë 1,200 ushtarë të angazhuar në të njëjtën kohë.

Sulmet terroriste në Paris, më 13 nëntor, kanë lënë të vrarë 130 persona.

Përgjegjësinë për to e kanë marrë militantët e Shtetit Islamik.

Kanë qenë këto sulmet më vdekjeprurëse në Evropë që nga bombardimet në Madrid në vitin 2004.