FSK-ja, tri herë më e vogël se e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë

  • 01 December 2015 - 11:55
FSK-ja, tri herë më e vogël se e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë

Forcat e Armatosura të Kosovës (FSK), ndonëse pritet që brenda një kohe të shkurtër të shndërrohen në ushtri të Kosovës, ato për nga fuqia do të jenë prapa vendeve të rajonit.

FSK-ja numerikisht është e barazvlefshme me ushtrinë malazeze dhe deri diku edhe teknikisht (me përjashtim të flotës ajrore të cilën malazezët e kanë në nivel solid).

Kështu ka thënë Florian Qehaja, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Sipas tij, FSK-ja është për tri herë më e vogël, në kapacitete njerëzore e teknike, se sa ushtritë e vendeve fqinje, siç janë: Maqedonia e Shqipëria.

Sipas Qehajës, Dallimi me Serbinë është shumë i madh për arsye se ky vend vazhdon të konservojë ushtrinë në baza tradicionale dhe jodomosdoshmërisht i nënshtrohet kritereve të NATO-s.

“Konsideroj që në mandatin ekzistues, është vështirë që të vlerësohet FSK krahasimisht me shtetet tjera për shkak të fokusit të saj të ngushtë në çështjet e mbrojtjes civile. Madje një nga arsyet që kanë ngritur nevojën e formimit të forcave të armatosura, është domosdoja e pozicionimit të institucionit të ardhshëm në nivel homolog me institucionet tjera të mbrojtjes në rajon”, ka thënë Qehaja.

Ai ka theksuar se në kuadër të mandatit ekzistues të mbrojtjes civile si dhe armatimit të lehtë (të këmbësorisë që posedon) FSK-ja sipas tij, përbën një forcë të vogël në raport me vendet e rajonit sidomos në raport me numrin e banorëve dhe territorit.

“Në konstalacionin e tanishëm politik e gjeopolitik në rajon, matja e forcave më shumë bëhet në aspektin e kapaciteteve defanzive, pra aftësisë për t’i bërë ballë sulmeve klasike. Në rastin konkret, FSK-ja ka kapacitete të kufizuara për arsyeje se vetëm 3 brigada të saj (ato të reagimit të shpejtë) kanë gjysmë gatishmëri ushtarake. Të tjerat janë njësi të mbrojtjes civile dhe ato mbështetëse”, ka theksuar Qehaja.

Ai më tutje ka thënë se mendon që në kuadër të FSK-së duhet të zhvillohen tutje kapacitetet e mbrojtjes civile dhe de-minimit, duke shtuar se “këtu është bërë përvojë e madhe që nga paslufta dhe duhet që kjo përvojë të betonohet dhe të jetë e konkurrueshme me shtete tjera të rajonit”.

“Krahas këtyre dy gjinive, FSK duhet të zhvilloj këmbësorinë dhe si rrjedhojë të jetë potencialisht konkurrente me vendet tjera të rajonit. Kjo sepse elemente të këmbësorisë munden më shpejt të zhvillohet në krahasim me p.sh flotën ajrore që fare nuk përfshihet në strukturën e ardhshme për shkak që Kosova nuk do të ketë mundësi buxhetore. Mendoj që është me rëndësi të prodhojmë nën-oficerë dhe oficerë të cilët janë individualisht dhe në baza grupore shumë të të avancuar se sa kolegët e tyre nga rajoni. Kjo është e mundshme nëse vazhdohen shkollimet jashtë vendit dhe ngritet cilësia arsimore e disiplinore në nivelet taktike e operative të FSK-së”, ka thënë Qehaja.

Sipas tij, dëmet në vonimin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës janë të mëdha qoftë ne aspekt politik e edhe në atë ushtarak, duke shtuar se “në aspekt politik, Kosova vazhdon të mos ketë elementin e saj kyç të shtetësisë përderisa humbim kohë shumë sepse operacionalizimi i FAK-ut kërkon një periudhë plot 10 vjeçare që nga miratimi në Kuvend”.

“Po ashtu, humbim shumë në raport me integrimet në NATO të cilat, krahas problemeve politike, nuk mund të avansojnë në mungesë të një elementi të mbrojtjes. Kjo forcë pritet që t’i marr ingerencat nga KFOR-i, sepse ky mision nuk duhet të qëndrojë për një kohë shumë të gjatë në Kosovë”, ka shtuar ai për Telegrafin.

Qehaja mendon se Qeveria e Kosovës dhe elita politike ka dështuar që ta miratojë FAK-un pavarësisht vështirësive që ekzistojnë në raport me refuzimin e serbëve.

“Kjo elitë politike nuk ka atribute shtetformuese dhe është e tejvarur nga prania ndërkombëtare. Ajo duhet ta deklarojë themelimin e FAK si një prioritet kombëtar, të fus në lëvizje bashkësinë ndërkombëtare dhe sa më shpejt ta konkludoj anën formale të aprovimit të kësaj FAK-u. Shumë shtete mike të Kosovës, kanë shprehur gatishmërinë që të ndihmojnë shumë në ngritjen e gatishmërisë luftarake të FAK-ut: kjo mbështetje ka mbet në tentativë përderisa kemi gjendjen ekzistuese”, ka shtuar Qehaja.