Lunacek: Me pamjet e dhunës në Kuvend, rrezikohet procesi i liberalizimit të vizave

  • 01 December 2015 - 14:22
Lunacek: Me pamjet e dhunës në Kuvend, rrezikohet procesi i liberalizimit të vizave

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, ka shprehur qëndrimet e saj për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, si pasojë e acarimit të situatës mes Qeverisë dhe opozitës mbi dy marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe Malin e Zi.

Lunacek porosit të dy palët që të gjejnë mënyra për t'u ulur në tavolinë dhe për t'i zgjedhur mospajtimet me anë të dialogut, pasi, siç thotë, dhuna dëmton proceset e rëndësishme të Kosovës drejt BE-së, siç është, mes tjerash, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Lunacek ka shprehur shqetësim për mënyrën e ardhjes së shefit të përgjithshëm të KFOR-it, Ljubisha Dikoviq në Prishtinë, pa lejen e institucioneve të Kosovës. Sipas saj, KFOR-i është dashur të jetë më i kujdesshëm për të mos lënduar ndjenjat e kosovarëve dhe kujtimin për viktimat, duke e ftuar Dikoviqin në Kosovë.

Raportuesja për Kosovën në një intervistë për Kp, ka potencuar se arrestimi i deputetit të Vetëvendosjes Albin Kurti është bërë në rrethana të papërshtatshme kohore, njëkohësisht duke e kritikuar opozitën për skena dhune në Kuvendin e Kosovës, që sipas saj nuk përçojnë mesazhe të mira jashtë vendit.

Sa i përket dështimit të Kosovës për t'u anëtarësuar në UNESO, Lunacek ka theksuar se Serbia ka përçuar një mesazh të lartë urrejtjeje duke e penguar Kosovën drejt anëtarësimit në këtë organizatë, derisa kritika nuk ka munguar për Ministrinë e Jashtme, nga e cila kërkon që të shikojë me kujdes se ku ka gabuar dhe të marrë mësim për të ardhmen.