Vazhdojnë protestat e refugjatëve në kufirin Greqi-Maqedoni

  • 01 December 2015 - 15:19
Vazhdojnë protestat e refugjatëve në kufirin Greqi-Maqedoni

Në pikën kufitare Greqi-Maqedoni vazhdojnë protestat e emigrantëve ekonomikë, të cilët prej dy javësh qëndrojnë të bllokuar në “tokën e askujt” dhe nuk u lejohet hyrja në territorin e Maqedonisë.

Turma e përbërë prej qindra emigrantëve ekonomikë, përfshirë edhe fëmijë nga Bangladeshi, Pakistani dhe Maroku, me brohoritjet e tyre “Hapeni kufijtë”, “Nuk kthehemi prapa”, “Drejtësi për të gjithë”… kërkojnë tu jepet leje për të vazhduar udhëtimin e tyre të shpresës. Turma e emigrantëve në dorë mbanin edhe pankarta të ndryshme, si “Ne nuk jemi terroristë”, “Ne duam paqe”, “Çfarë krimi bëra unë”!

Ndërkohë, pas vendosjes së gardhit me gjemba, i cili ka bllokuar linjën e trenit ndërkombëtar që kalon nga Greqia nëpërmjet Maqedonisë për në vendet e Evropës Perëndimore, ushtria maqedonase mundohet që të ndërtojë një portë, e cila do të mundësojë të kalojë treni ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, refugjatët nga Siria, Afganistani dhe Iraku kalojnë kufirin në mënyrë normale. Menjëherë pas procesit të regjistrimit ata me tren apo taksi vazhdojnë drejt kufirit verior të Maqedonisë. Momentalisht qendra për pritje të refugjatëve në Gjevgjeli është e zbrazur.