Investitorët braktisin Kosovën

  • 01 December 2015 - 17:10
Investitorët braktisin Kosovën

Pasiguria detyron kompanitë të lëvizin kapitalin

“Kam frikën se po nuk ndodhi ky zhbllokim i situatës edhe biznese të tjera vendore do të largohen nga Kosova”, tha Sylejman Konushefci, që sivjet e ka dislokuar teknologjinë dhe aparaturën e Fabrikës së prodhimit të vajit në Bullgari, për shkak të ambientit të përkeqësuar të biznesit

Kriza politike po i nxit bizneset që ta largojnë kapitalin e tyre në vende të tjera fqinje, më të qeta politikisht. Lideri i AKB-së, Agim Shahini, thotë se kjo situatë e brishtë po ua humb shpresën edhe shumë bizneseve kosovare, të cilat veçse kanë filluar që të mendojnë për ta larguar kapitalin e tyre.“Po vazhdoi kjo situatë e ngërçit politik dhe e skenave të mëtejme të gazit lotsjellës në Kuvend, për fat të keq, po e shndërron Kosovën në një vend të pashpresë edhe në pikëpamje ekonomike”, theksoi ai. Afaristi Sylejman Konushefci, nga fshati Llugë i komunës së Podujevës, sivjet e ka dislokuar teknologjinë dhe aparaturën e Fabrikës së prodhimit të vajit në Bullgari, për shkak të ambientit të përkeqësuar të biznesit. “Kam frikën se po nuk ndodhi ky zhbllokim i situatës edhe biznese të tjera vendore do të largohen nga Kosova”, tha ai.

PDK e LDK përgjegjëse për rënien ekonomike

Për deputetin Pal Lekaj, përgjegjës për situatën e rëndë janë partitë që po qeverisin, koalicioni i Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit. “Jemi të vetëdijshëm se këto skena në Kuvend janë një mesazh i keq për investitorët, por kjo ka qenë rruga e vetme që na e lanë pushtetarët për të shprehur pakënaqësitë tona me qeverisjen dhe me politikat e tyre të mbrapshta të ekonomisë dhe qeverisjes me vendin, që ata janë duke e varrosur dita ditës ekonominë edhe ashtu të shkatërruar nga lufta në Kosovë ”, shtoi më tej ai.

Ekonomisti Ismajl Kastrati, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se kjo situatë e ngërçit politik po reflektohet keq tek investitorët. “Krerët e politikës kosovare duhet të reflektojnë dhe të gjejnë formën e bashkëpunimit e të dialogimit dhe asnjëra nga palët mos të pozicionohet në mënyrë të ngurtë dhe në pozita e veta, sepse kjo i shkakton shumë dëme ekonomisë sonë edhe ashtu të brishtë dhe mosinteresim të investitorëve për të ardhur me investimet e tyre në vendin tonë”, ka theksuar Kastrati. Sipas tij që e keqja të jetë më e madhe kjo gjendje po i tremb edhe investitorët vendorë, duke i detyruar që ta braktisin vendin. (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)