Drejtësia, armë e pushtetit kriminal kundër ligjit

  • 01 December 2015 - 18:20
Drejtësia, armë e pushtetit kriminal kundër ligjit

Sunduesit e shtetit sundojnë edhe organet e rendit

Ndonëse për shumë dosje korrupsioni e skandale të shumta prokurorët dhe gjykatësit nuk ndërmarrin asnjë hap, për ata që kërkojnë kushtetutshmëri dhe rend shtetëror, nën urdhrat e pushtetit, pasojnë vendimet arbitrare

Rebelimi i udhëheqësve më të lartë politikë të Kosovës është pasuar me arrestimin e deputetëve të opozitës. Ka mjaftuar një deklaratë e kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij, Hashim Thaçi, pas seancës së jashtëzakonshme të datës 17.11. 2015, për të nisur me arrestimin e deputetëve. "Ata që hedhin gaz lotsjellës që përmban elemente kimike, ata që cenojnë deputetët, duhet të përgjigjen para ligjit. Institucionet e ligjit të marrin masa. Nuk do të lejojmë as nuk duhet të lejojmë që shumica parlamentare të pengohet që të mbajë seancën nga tre- katër individë”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa më 17.11.2015. Të njëjtën  rrugë e ka ndjekur edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, si në fjalimin e tij në seancën e improvizuar të Kuvendit të Kosovës, ashtu dhe në deklaratën për media pas seancës.“Ligji duhet të respektohet, askush nuk është mbi ligjin. Krerët opozitarë me sjelljet e tyre kanë dalë mbi ligjin dhe duhet të ballafaqohen me veprimet e tyre, të cilat janë të menduara dhe paramenduara. Janë veprime që nuk i kanë hije askujt që t’i bëjë, veprime që po dëmtojnë Kosovën dhe jo që s’janë demokratike, por janë veprime kriminale”, kanë thënë Thaçi më 17.11.2015. Dhe, vetëm një ditë më pas, konkretisht mëngjesin e datës 18.11.2015, është arrestuar deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ndërsa janë kryer bastisje në shtëpitë e deputetëve Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli. Më 28 nëntor është arrestuar edhe Albin Kurti, ndërsa dje edhe tre deputetë opozitarë janë prangosur.

Prokurorja Krasniqi, motra e ish-deputetes së LDK-së

Në vijimësi është folur për ndikimet e politikës në sistemin e drejtësisë, ndërsa njerëzit e këtij sistemi janë justifikuar duke i quajtur perceptime. Por, realiteti flet për një tjetër situatë, sidomos nëse i referohemi ngjarjeve të fundit. Prokurorja Fikrije Krasniqi, e cila është marrë me hetimin e ngjarjeve të fundit në Kuvend, në rastin e deputetes Donika Kadaj-Bujupi dhe deputetit Albin Kurti, rezulton të jetë motra e ish-deputetes së LDK-së në legjislacionin e kaluar, Vjollca Krasniqi. Kjo e fundit, e kontaktuar nga gazeta “Kosova Sot”, nuk u është përgjigjur thirrjeve tona, ndërsa Prokuroria e Shtetit, nëpërmjet zyrtares për media, Liridona Kozmaqi, ka thënë se nuk kanë informatë për lidhjet familjare të prokurores Krasniqi me LDK–në. “Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka vlerësuar se nuk ka konflikt interesi për prokuroren në fjalë, që ta hetojë rastin lidhur me zhvillimet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Çdo qytetar duhet ta dijë se prokurori i Shtetit para ligjit siguron trajtim të barabartë, objektiv dhe pa paragjykime për të gjithë personat, pavarësisht gjinisë, racës, prejardhjes kombëtare apo sociale, shoqatave apo lidhjeve politike, besimeve fetare, gjendjes apo të metave shëndetësore, apo pozitës shoqërore. Gjithashtu, është e kundërligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën për cilindo person fizik apo juridik që të përpiqet të ndërhyjë, të pengojë apo ndikojë te prokurori i Shtetit gjatë kryerjes së funksioneve prokuroriale lidhur me cilindo hetim, procedurë apo lëndë individuale”, është përgjigjur Kozmaqi. (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)