Flet babai i të arrestuarit të sotëm për terrorizëm Samet Imishti

  • 01 December 2015 - 19:42
Flet babai i të arrestuarit të sotëm për terrorizëm Samet Imishti

Katër kosovarë që dyshohet të jenë të përfshirë në grupe terroriste kanë qenë sot në qendër të vëmendjes së mediave botërore. Ata u arrestuan përmes dy aksioneve të ndara; në Brescia të Italisë dhe Han të Elezit. Gazeta Express ka vizituar familjen e të arrestuarve dhe sjell emrat e të gjithë të dyshuarve për terrorizëm - të kapur në këtë aksion.

Samet Imishti nga fshati Rezhancë e Hanit të Elezit, nuk është i vetmi kosovar i cili u arrestua sot për terrorizëm. Edhe dy familjarët e tij, vëllai Ismail Imishti dhe nipi Mërgim Imishti kanë përfunduar në pranga nga aksioni i sotëm në Itali.

Ata u arrestuan në të njëjtën kohë në Kosovë dhe Itali përmes një aksion të koordinuar të autoriteteve të sigurisë Italiane dhe atyre kosovare.

48 vjeçari Samet Imishti u arrestua mëngjesin e sotëm nga Njësia kundër Terrorizimit e Policisë së Kosovës. Ndërkohë që Gazeta Express përmes burimeve të saj ka kuptuar se vëllai i tij Ismail Imishti është i arrestuari tjetër, bashkë me djalin e tij Mërgimin, në Brescia të Italisë ku jetonin prej kohësh.

Që të tre dyshohen se kanë qenë pjesë e një grupi terrorist që përmes internetit dhe rrjeteve sociale propagandonin ideologjinë xhihadiste. Ata dyshohen se kanë bërë nxitje, publikime dhe thirrje publike përmes rrjeteve sociale për ide ekstremiste dhe sjellje tipike të militantëve të ISIS.

Aksioni i sotëm i Njësisë kundër Terrorizimit, në shtëpinë e familjes Imishti, e ka lënë të habitur dhe të nevrikosur kryefamiljarin e saj.

Express sot ka qëndruar në shtëpinë e tre të arrestuarave. Babai i tyre, i cili ende nuk është në dijeni për arrestimin e djalit tjetër dhe nipit të tij në Itali, thotë se është habitur nga arrestimi i djalit i Sametit.

“Ka qenë ora 06:00 e mëngjesit dhe vetëm kemi dëgju një zhurmë të madhe, ata kanë hy në shtëpinë time si me qenë policia e Serbisë”, ka thënë babai i të arrestuarave.

I pyetur nëse ai ka qenë në dijeni nëse djali i tij ka qenë i përfshirë në aktivitete të tilla, ai ka thënë se po ta dinte do ta dorëzonte atë tek autoritetet me duart e tij.

“Na jemi duke vdek për bukë, me pension timin jemi duke jetu, e ai të merret me gjëra të tilla. Më ka mbetur dera mbyllur, Sameti ka jetuar gati 20 vjet në Itali, por është kthyer para dy viteve, pasi s’ka pas më punë atje. Ai rrallë ka dal edhe deri në Han të Elezit”, ka thënë kryefamiljari.

Ai i ka thënë se gjatë aksionit, Policia i ka thyer dyert e shtëpisë dhe ka frikësuar familjarët e tij.

Samet Imishti kishte jetuar plotë 16 vite në Itali, por autoritetet e atjeshme për arsye ende të panjohura, para dy viteve i kishin ndërprerë leje qëndrimin, duke e kthyer në Kosovë. Ai edhe pasi është kthyer, ka vizituar familjarët e tij atje, ku edhe është ngritur dyshimi tek autoritetet italiane.

Mediat italiane raportuan se ky grup ka pasur kërcënime edhe për jetën e Papa Françeskut.

“Ky Papë do të jetë i fundit”, është dëgjuar në nga përgjime telefonike të këtij grupi.”Ne ndërhymë në një fazë të propagandës, para se ata të mund të jenë problem për zonën”, ka thënë para mediave italiane shefi i Policisë se Brescias.