Kulla 150- vjeçare strehonte 60 anëtarë të familjes

  • 01 December 2015 - 20:19
Kulla 150- vjeçare strehonte 60 anëtarë të familjes

Ibish Morina: Shtëpia është dykatëshe dhe me shumë dhoma banimi

Kulla e Ibish Morinës, në Qikatovë të Vjetër të Drenasit, ishte ndërtuar para 150 vjetësh nga  Zeqir Morina. Trashëgimtari i kësaj kulle, që ka mbetur e zbrazur, Ibish Morina shpjegoi për mënyrën e jetesës në këtë kullë të familjes së tij dikur 60 anëtarëshe  

Kullat janë traditë e hershme e mënyrës së jetesës së banorëve në vise të ndryshme të vendit. Por, tashmë kjo traditë sa vjen e po zhduket. Ato tash nuk po ndërtohen më, ndërsa të vjetrat nuk janë ruajtur siç duhet, disa janë rinovuar aty këtu e disa edhe janë lënë në mëshirë të fatit. Ndonëse jo çdokush ka pasur mundësi të ndërtojë kulla, ndërtimi i tyre ka qenë karakteristik, me dritare të vogla, me mure të trasha, të cilat në njëfarë mënyre ishin paraparë si mbrojtëse të  shqiptarëve nga armiqtë. Karakteristikë tjetër e këtyre kullave ishin edhe dyert e tyre, të cilat kanë qenë të ndërtuara nga disa dërrasa nga druri dhe pa ndonjë strukturë të caktuar. Në atë kohë ka qenë shumë vështirë të ndërtohet një shtëpi, është dashur punë dhe mund i madh.

Image

Pasqyron një pamje të  tipit rural

Në pamundësi ekonomike shumë  shtëpi-kulla kanë qenë të ndërtuara edhe prej qerpiçët. Më këto karakteristika ndërtimi hasem edhe në kullën e Ibish Morinës, nga  fshati Qikatovë e Vjetër, komuna  e Drenasit. I pari që e kishte ndërtuar këtë kullë ishte paraardhësi i familjes Morina, Zeqir Morina. Për më shumë, trashëguesi i kësaj familjeje, Ibish Morina, na shpjegoi për mënyrën e jetesës në këtë kullë të familjes së tij. Ai shpjegoi se në kullën në fjalë para më shumë se 150 vjetësh kanë jetuar 60 anëtarët e familjes Morina. Ndërkohë, ka shtuar se ndërtimi i kullës nuk ka pasur qëllim tjetër përveçse i ka shërbyer familjes në fjalë si objekt banimi.”Jo, nuk mbahet mend se ka shërbyer edhe për qëllime të tjera, përveçse iu ka shërbyer për të jetuar familja”, ka thënë ndër të tjerash ai. Ndërsa, Morina  ka shpjeguar se kulla ka qenë dykatëshe dhe me shumë dhoma banimi, me dritare të vogla dhe e mjaftueshme për banim, për banorët e asaj kohe. Morina ka thënë se paraardhësit e tij kanë punuar punë të bujqësisë dhe i kanë pasur kushtet e  mira ekonomike, me ç’rast edhe kanë pasur mundësi ta ndërtojnë kullën. Por, tani kulla në fjalë nuk është rinovuar dhe është gati të shembet, ajo është e pashfrytëzueshme. Për më shumë, kjo ndërtesë banimi e tipit kullë, ndërtesë banimi dhe fortifikimi, është ndërtuar nga fundi i shek. XIX, dhe se pasqyron një pamje të  tipit rural dhe shpreh rrethanat shoqërore – politike e ekonomike të kohës kur është ndërtuar, gjegjësisht shpreh mënyrën e banimit të një familjeje të madhe me mundësi të mira për banim të asaj kohe.  (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT) 

 

Image