Ymeri: Të anulohen marrëveshjet, s’ka zgjidhje të ndërmjetme

  • 01 December 2015 - 21:46
Ymeri: Të anulohen marrëveshjet, s’ka zgjidhje të ndërmjetme

"Nuk ka zgjidhje të ndërmjetme, përveç anulimit të marrëveshjeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi, për ta kthyer normalitetin në institucione", thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Radio Evropa e Lirë Opozita nuk po heq dore nga hedhja e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Çfarë synoni të arrini me këso veprimesh?

Visar Ymeri: Kjo është pjesë e protestës sonë e cila është e drejtuar kundër marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë në Bruksel, me 25 gusht dhe po ashtu, kundër asaj të nënshkruar me Malin e Zi për caktimin vijës kufitare, për demarkacionin. Ne konsiderojmë se këto dy marrëveshje janë jashtëzakonisht të dëmshme Republikën e Kosovës, për sovranitetin e saj dhe për territorin e saj.

Pra, edhe cungojnë si territor, edhe e shkurtojnë dhe e pamundësojnë si republikë. Si të tilla, ato marrëveshje janë të papranueshme. Ky nuk është vetëm qëndrim i opozitës së bashkuar, edhe pse opozita e bashkuar ka qenë bartëse e këtij kundërshtimi.

Por, është qartazi edhe qëndrim i qytetarëve të Republikës së Kosovës, i cili është shprehur dhe materializuar në forma të ndryshme: përmes peticionit të nënshkruar më herët nga 205 mijë qytetarë , të cilët i kanë kundërshtuar këto marrëveshje; përmes manifestimit që e patëm me 28 nëntor, këtu në sheshin e Prishtinës, “Zahir Pajaziti”, ku u pa një masë e madhe e njerëzve - mbi 35 mijë njerëz ishin aty të pranishëm- dhe po ashtu edhe përmes sondazheve të ndryshme , të cilat për do ditë e më shumë, po tregojnë se qytetarët e Republikës së Kosovës janë kategorikisht kundër këtyre marrëveshjeve.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, gazi lotsjellës po konsiderohet si armë. A është kjo shkelje e ligjit?

Visar Ymeri: Këto bombolat ose kapsollat e gazit lotsjellës që i kemi përdorur ne, nuk janë armë. Kjo, mendoj se është një shkarje që po e bën qëllimisht pushteti, përmes institucioneve që i ka kapur, pra, përmes prokurorisë dhe policisë. Në konsiderojmë se kjo ka qenë një metodë e protestës, e cila ka qenë e domosdoshme duke e pasur parasysh qëndrimin arrogant dhe shpërfillës të këtij pushteti karshi interesit të Republikës dhe qytetarëve. Pra, ne kemi thënë që nuk mund të ketë normalitet institucional, as në Kuvend apo në të tjera, për sa kohë që këto marrëveshje e e abnormalizojnë ose rrezikojnë ta abnormalizojnë Republikën.

Dhe, si deputetë të Republikës së Kosovës, ne e kemi për obligim dhe detyrë dhe detyrë që ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, gjë që po e bëjmë tash me këto metoda. Jam i vetëdijshëm që metodat nuk janë konvencionale, veçanërisht gazi lotsjellës apo ndezja e bombolave të gazit lotsjellës në Kuvend, mirëpo, duhet ta kemi parasysh që qeveria ka sjellë një gjendje të një jashtëzakonshmërie të madhe në Republikën e Kosovës me vendimet dhe marrëveshjet e saj dhe si e tillë, natyrisht që ne i jemi përgjigjur kësaj gjendjeje me metodat, të cilat i kemi pasur në dispozicion.

Pushteti është ai, i cili përmes policisë - ku e ka instrumentalizuar këtë polici, përmes kapjes që i ka bërë përmes komandantëve të saj- dhe po ashtu përmes instrumentalizimit të gjyqësisë, përmes disa prokurorëve dhe gjykatësve, është ai që vazhdimisht dhe pafundësisht po e përndjekë opozitën. Po i përndjek deputetët e opozitës, po i përndjekë subjektet opozitare, duke filluar nga arrestimi i deputetëve, suspendimi i djeshëm i të gjithë deputetëve të opozitës nga seancat e Kuvendit, e deri te intervenimi, jashtëzakonisht brutal i së shtunës, në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje, me ç’rast, pa kurrfarë urdhri, jo vetëm se u arrestuan mbi 100 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë edhe Albin Kurtin, por edhe u demoluan dhe u bastisën zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Është e paprecedent në botën demokratike, që pushteti përmes policisë bën kësi lloj demolomi të zyrave të një subjekti opozitar, në këtë rast të subjektit më të madh opozitar që është lëvizja Vetëvendosje.