Aleatët e NATO's, sisteme mbrojtëse nga ajri për Turqinë

  • 01 December 2015 - 22:36
Aleatët e NATO's, sisteme mbrojtëse nga ajri për Turqinë

Vendet aleate të NATO’s kanë planifikuar të dërgojnë avionë patrullues dhe raketa antiajrore për të forcuar sistemin mbrojtës ajror të Ankarasë, mbi të gjitha në kufirin e saj me Sirinë. Reagimi i fundit vjen pas rrëzimit të avionit rus nga Turqia, ndërsa është konfirmuar nga zyrtarë gjatë kësaj të marte.

Vendimi i marrë nga Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara për të hequr bateritë e raketave “Patriot” nga Turqia ka bërë që ky boshllëk të mbulohet nga vendet e tjera aleate të NATO’s, teksa aleanca atlantiko-veriore synon të sigurojë Ankaranë mes tensioneve me Rusinë për shkak të inkursionit në hapësirën ajrore të Turqisë.

Hapat e marrë nga Gjermania e SHBA’të u shpallën javë më parë, por ndërhyrja surprizë e Rusisë në luftën civile siriane gjatë muajit shtator ka nxitur vendet e tjera për t’iu ofruar ndihmë shtesë forcave ajrore turke.

Spanja është i vetmi komb i NATO’s, që ka aktualisht raketa “Patriot” në Turqi.

“Ne duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet tona për t’u bërë ballë kërcënimeve ndaj kufirit jugor të NATO’s”, tha ministri i Jashtëm lituanez, Linas Linkevicius, teksa ndodhej në Bruksel në takim me homologët e tjerë të aleancës, ndërkohë që nuk kanë munguar ofertat nga aleatët për furnizime me anije dhe avionë. “Duhet të mbështesim aleatin tonë, Turqinë”, shtoi më tej ai.

Diplomatët e aleancës thanë se këto masa pritet të përfshijnë më shumë anije nga vendet anëtare të NATO’s në Mesdheun lindor, më shumë avionë të tyre në bazën ajrore turke të Incirlikut, si dhe më shumë bateri të mbrojtjes antiraketore, shtuar atyre që ekzistojnë nga Spanja.

Ministrat e Jashtëm, përmes një deklarate të përbashkët, thanë se situata në kufirin e Turqisë me Sirinë dhe Irakun është “mëse e paqëndrueshme” dhe u angazhuan për të fuqizuar mbrojtjen ajrore turke, gjë të cilën ata e përshkruan si “masa sigurie”, transmeton Top Channel.

“Ne mbetemi të vendosur të vazhdojmë të zhvillojmë masa të reja sigurie në NATO, ndaj dhe aleatët po punojnë për të siguruar të tjera kontribute të mundshme”, thanë ministrat.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Jens Stoltenberg tha se priste një vendim mbi një paketë masash “brenda pak javësh”, por u ndal të theksonte se këto përforcime nuk kanë lidhje me inkursionin ajror të Rusisë, si dhe bëri thirrje që Moska dhe Ankaraja të gjejnë një zgjidhje për tensionet e fundit.