Mustafa: Marrëveshja për Asociacionin nuk do të anulohet e as rinegociohet

  • 24 December 2015 - 11:51
Mustafa: Marrëveshja për Asociacionin nuk do të anulohet e as rinegociohet

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, sot në mbledhjen e radhës së Qeverisë ka folur rreth aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth vendimit për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Sipas kryeministrit Mustafa, Gjykata Kushtetuese rikonfirmoi se Marrëveshja e parë e Parimeve që Rregullon Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, e nënshkruar nga kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kryeministri i Republikës së Serbisë, më 19 prill të vitit 2013 dhe e ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 27 qershor të vitit 2013, si Marrëveshje Ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e sistemit të brendshëm juridik, për t’u implementuar kërkonte themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ja deklarata e plotë:

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar dje, më datën 23 dhjetor të vitit 2015, me të cilin u trajtua kërkesa e parashtruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, lidhur me vlerësimin e përputhshmërisë së Parimeve të përgjithshme dhe elementeve kryesore të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, me frymën e Kushtetutës, me nenin 3, paragrafin 1, [Barazinë e qytetarëve para Ligjit], me Kapitullin II, [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], si dhe me Kapitullin III, [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre], të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, rikonfirmoi edhe një herë se negociatat e zhvilluara dhe të gjitha veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të ndërmarra deri më tani, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, janë detyrim dhe kanë mbështetje në nenin 19 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, [Zbatimi i së Drejtës Ndërkombëtare], në të cilin thuhet se:

“Marrëveshjet Ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Kosovës, bëhen pjesë e sistemit të brendshëm juridik pasi të botohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. ”
Gjë që ka ndodh me Marrëveshjen e vitit 2013.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese rikonfirmoi se Marrëveshja e parë e Parimeve që Rregullon Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, e nënshkruar nga kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kryeministri i Republikës së Serbisë, më 19 prill të vitit 2013 dhe e ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 27 qershor të vitit 2013, si Marrëveshje Ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e sistemit të brendshëm juridik, për t’u implementuar kërkonte themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ajo parashikon themelimin e këtij Asociacioni me Statut dhe definon strukturën e Asociacionit, ashtu që të ndiqet e njëjta bazë, sikurse Statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Për më tepër, Gjykata Kushtetuese konstatoi se me Marrëveshjen e ratifikuar me 27 qershor të vitit 2013, komunat pjesëmarrëse kanë fituar të drejtën të bashkëpunojnë përmes Asociacionit/Bashkësisë kolektivisht, në bazë të Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjeve të Kosovës.

Gjykata gjen gjithashtu se Asociacioni do të ketë vështrim të plotë në fusha të veprimtarive të ndryshme dhe do të ushtrojë kompetenca të tjera të deleguara nga autoritetet qendrore.

Rrjedhimisht, nga Gjykata Kushtetuese u rikonfirmua se themelimi i Asociacionit është në pajtueshmëri me kërkesën kushtetuese dhe si i tillë, ai është pjesë e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Mirëpo, Gjykata Kushtetuese, pas vlerësimit të Parimeve të përgjithshme - Elementeve kryesore të Asociacionit, të dakorduara me marrëveshjen e 25 gushtit 2015, përkitazi me pajtueshmërinë e dispozitave të secilit kapitull që ndërlidhen me dispozitat kushtetuese, konstatoi se këto Parime nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës.

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese konstatoi se Akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [Barazia e Qytetarëve para Ligjit ], paragrafi 1, me Kapitullin II, [ Të Drejtat dhe Liritë Themelore ], si dhe me Kapitullin III, [ Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre ], të gjitha këto të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3,7,12, me Kapitullin II [ Të Drejtat dhe Liritë Themelore ], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [ Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarët e Tyre ], me nenet 57,59,60,61 dhe 62, si dhe me nenet 79,81,93,101,113,123,124 dhe 137 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, siç është arsyetuar në Aktgjykim.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese rikonfirmoi se veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës ishin në mbrojtje të plotë të interesave të shtetit dhe të rendit juridik dhe nuk lanë asnjë hapësirë për t’i dhënë Asociacionit kompetenca ekzekutive apo për të krijuar nivel të tretë të qeverisjes në Kosovë.

Po ashtu, u rikonfirmua së Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë me të drejtë këmbëngulëse që Gjykata Kushtetuese të përfshihet që në fillim në vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së secilit akt juridik që i paraprin themelimit dhe funksionimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Marrëveshja parimore e datës 25 gusht, siguroi që Bashkimi Evropian dhe Serbia të njohin autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, me qëllim që të mbrohen vlerat dhe standardet kushtetuese, duke kushtëzuar zbatimin e parimeve dhe aplikimin e akteve juridike dhe Statutit vetëm pas vlerësimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin e Gjykatës Kushtetuese dhe udhëzimet e paraqitura në arsyetimin e Aktgjykimit dhe mbetet e përkushtuar për të përmbushur detyrimet ligjore dhe kushtetuese, përballë marrëveshjeve ndërkombëtare.

Qeveria siguron se i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese, të paraqitura në arsyetimin e Aktgjykimit AGJ 877 / 15.

Qeveria e Republikës së Kosovës, me këtë rast, fton gjithë spektrin politik, përfshirë partitë opozitare, që të respektojnë këtë vendim, i cili është në përputhje edhe me vetë Marrëveshjen e Parimeve, në të cilën ishte paraparë tekstualisht që e njëjta të shqyrtohej nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në të gjitha fazat e procesit.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se është jetike për vendin që të përmbushen kërkesat ligjore dhe që të gjithë aktorët politikë t’i rikthehen jetës institucionale dhe debateve politike, të cilat duhet të zhvillohen brenda institucioneve e në radhë të parë brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ne konsiderojmë se pas kësaj nuk ka asnjë arsye të mëtutjeshme për bllokim të punës së Kuvendit, nuk ka asnjë arsye të mëtutjeshme për protesta në rrugë, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë. Ky vendim siguron që procedurat e mëtutjeshme të zhvillohen në korniza të Kushtetueses dhe duke respektuar të gjitha parimet kushtetuese. 

(Kosova Sot)