Arsimi dështoi me arsimin

  • 05 February 2016 - 18:12
Arsimi dështoi me arsimin

Ministrat e PDK-së e thelluan degradimin

“Sa i përket cilësisë së arsimit, tashmë 16 vjet është totalisht në kolaps, siç është edhe tani pas pavarësisë së Kosovës, dhe tetë vjet në pushtet  PDK-ja, subjekti politik nga vjen ministri i tanishëm i Arsimit, Arsim Bajrami, dhe dy ministra të tjera para tij, nga PDK-ja, asgjë nuk ka ndryshuar, as në cilësi dhe as në kuadro profesionale, apo freskimi me kuadro të reja në arsimin kosovar”, thotë Ragip Guraziu

Me të marrë postin e të parit të Arsimit, Arsim Bajrami premtoi se arsimi në Kosovë do të jetë ndryshe me të. Bile, ai vitin 2016 e ka konsideruar si prioritet qeveritar, krahas zhvillimit ekonomik. Por, cilësia nuk është se duket gjëkundi, e as prioriteti qeveritar. Arsimi vazhdon të ketë probleme, bile ai i larti shkelet në mënyrë flagrante dhe është i politizuar skajshmërish. A mund të flitet për cilësi në arsim, kur politika kur do i ndërron drejtorët e shkollës? Cilësia është vetëm dëshirë, e asgjë më shumë. Dhe, me ekipin që ka ministri vështirë se do të arrijë ndonjëherë që cilësia në arsim të ketë ngritje. Ministri shpesh në deklarimet e tyre ka fajësuar mësimdhënësit për dështim të cilësisë, duke thënë se paguhen shumë e nuk japin  aq sa duhet. Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, i tha gazetës “Kosova Sot” se këto kritika ministri Bajrami i ka bërë në kohën kur mësimdhënësit kanë qenë në grevë. “Konsiderojmë  se kritikat  e dikurshme të  ministrit Bajrami,  se mësimdhënësit paguhen shumë, por nuk ka cilësi,  janë bërë në një moment kur ishte një atmosferë pak më e rënduar  nga arsyeja se ne kishim shkuar në grevë në kërkim që të realizohen kërkesat legjitime të të punësuarve në arsim. SBASHK-u e ka thënë edhe në takime me qeveritarët e nivelit qendror dhe me ata të nivelit komunal se pagat në arsim në këtë moment vërtet janë bukur dinjitoze, por duhet bërë angazhime të vazhdueshme për realizimin e kërkesave që dalin nga ligjet dhe nga Kontrata Kolektive e sektorit të Arsimit Parauniversitar  dhe se duhet nënshkruar edhe Kontrata Kolektive për Universitetin dhe të plotësohen kërkesat  legjitime të anëtarësisë sonë atje”, ka thënë ai për “Kosova Sot”.

Mungojnë investimet serioze

Jasharaj thotë se SBASHK-u ka dhënë  dhe vazhdon të japë kontributin në përpjekje për ngritjen e cilësisë në arsim. “Për  këtë kemi organizuar, të mbështetur nga GIZ, takime me mësimdhënës  në të gjitha komunat e Kosovës, duke bashkëbiseduar për vazhdimin e përpjekjeve në ngritje të cilësisë. Mendojmë se  Strategjia për ngritjen e cilësisë që ka përgatitur MASHT-i dhe e ka aprovuar edhe Qeveria  është bazë e mirë, por nëse mësimdhënësit  mbesin të vetëm në angazhimet për ngritjen e cilësisë arritjet nuk do të jenë të plota. Mësimdhënësi është faktor me rëndësi, por atij i duhet mbështetje e sinqertë dhe shteti duhet të investojë që shkollat të jenë të pasuara dhe të përgatitura për kresat e shekullit 21”, mendon ai. Sipas Rrahman Jasharajt, kur thuhet se cilësia është e dobët, duhet të ketë argumente.  (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)