Britanikët zbulojnë edhe një sekret: Ja çfarë i ndodhi Sllobës, rrugës drejt Hagës

  • 05 February 2016 - 19:40
Britanikët zbulojnë edhe një sekret: Ja çfarë i ndodhi Sllobës, rrugës drejt Hagës

Julian Borger, njëri nga gazetarët më të respektuar britanikë, redaktor i të përditshmes Guardian dhe fitues i çmimit Pulitzer, së fundmi ka nxjerrë në shitje librin e titulluar “The Butcher’s Trail”, që flet për hetimet dhe kërkimet intensive që janë bërë për kriminelët e luftës në ish-Jugosllavi.

Në librin për të cilin thotë se e ka shkruar me vite tëra - qysh në kohën kur ishte korrespondent i luftës në vitet e 90-ta në Ballkan - Borger sjell detaje të panjohura deri më sot në lidhje me “gjuetinë” e Ratko Mlladiqit, Radovan Karaxhiqit, Ante Gotovinës, por edhe për punën e agjentëve amerikanë dhe britanikë në Beograd, Banja Llukë, Zagreb dhe Sarajevë.

Ai së fundmi ka botuar një artikull interesant rreth historisë së Sllobodan Millosheviqit dhe fluturimit të tij me helikopter për në Hagë, detaje këto të nxjerra nga libri i tij!

Më poshtë mund të lexoni momentet më interesante:

Pas negociatave të gjata, ish-presidenti Sllobodan Millosheviq, më 28 qershor të vitit 2001 e gjeti veten në një furgon, i shoqëruar nga një Mercedes.

Rreth orës 19:00, kishte arritur në Banjicë, ku e kanë pritur tre helikopterë, por edhe Kevin Curtis, hetues i Tribunalit ndërkombëtar. Aty ishte edhe ministri i ri i Brendshëm, Dushan Mihajlloviq, i cili insistonte të dinte se sa kohë u nevojitet që Millosheviqi të largohet nga vendi i tij. Por, përgjigja e Curtisit ishte shumë e shkurtë dhe e qartë: 20 minuta.

Mihajlloviqit i është dukur shumë gjatë. Por, Curtis insistonte që atij gjithsesi t’i lexohen të drejtat si i arrestuar. Ky duhet të jetë një arrestim i drejtë, ka deklaruar ai, derisa dikush u kujtua se kryetari Vojisllav Koshtunica nuk është në dijeni për atë se çfarë është duke ndodhur.

Curtis kishte dalë për ta pritur Millosheviqin. Por, është interesant fakti se si i akuzuari i Hagës kishte filluar të tallet duke thënë: “Ju lumtë. Tani mund t’i paguani këta njerëz”. Ai kështu ka aluduar në rojet e burgut.

Pikërisht në atë ditë me lindjen e Diellit, Curtis ia lexoi të drejtat dhe akuzën.

Ish-presidenti serbe e luante njëfarë loje të vet: e ndërpreu përkthyesin duke i kërkuar një cigare dhe duke e pyetur se ku kishte mësuar të flasë aq mirë gjuhën angleze. Pastaj, rrugës për në helikopter, u ndalua sërish, transmeton Telegrafi.

“A e dini se sot është ‘Vidovdani” o serbë”, tha ai. Dhe, kështu më pas filloi të flasë anglisht.

“A po të pëlqen kjo punë që po e bën”, e kishte pyetur Curtisin. “Çfarë bën në kohën e lirë kur nuk arreston njerëz të pafajshëm si unë?”

Dhe, për herë të fundit ia lëshoi një shikim Beogradit derisa fluturonin me helikopter mbi lumin Sava. Ai kërkoi edhe një cigare. Por, Curtis i kishte thënë se nuk lejohet pirja e duhanit. Millosheviqi kishte bërë me gisht në drejtim të shpuzores në helikopter.

“Unë edhe ashtu jam pronar i kësaj fluturakeje”, ka thënë ai.

Millosheviq i kishte pyetur se ku janë duke shkuar. Kur dëgjoi se rruga fillimisht po e dërgon në Bosnje, në Tuzëll, ai e përsëriti duke thënë me përbuzje :“Bosnje”, thuajse nuk ishte një destinacion i denjë për udhëtimin e tij.

Kështu, në Tuzëll, në kampin “Eagle”, po e priste lejtnanti Andy Milan, komandant i njësisë “Delta Force”.

Fillimisht një ushtar e fotografoi dhe pastaj Millosheviqi filloi të bisedojë me të për atë se si fotografia është një profesion i mirë, se cilat janë këndet më të mira për të fotografuar dhe se si duhet përdorur objektivët.

Më në fund arrin aeroplani BAE 146, i njësisë ajrore mbretërore, i njëjti aeroplan që kishte transportuar trupin e Princeshës Diana për në Britani pas vdekjes së saj në Paris në vitin 1997.

Aterrimi në aeroportin Eindhoven, në afërsi të kufirit holandezo-belg, nuk është përcjell me shkrepje të fotografive.

Aty ishte vetëm një fotoreporter nga Haga, por që i cili kishte harruar ta fus filmin brenda aparatit. Kështu, historia nuk do të mund ta mbajë në mend një moment të tillë.