Shqipëri: Sekuestrohen 500 kg marihuanë me vlerë 5 mln euro

  • 05 February 2016 - 21:14
Shqipëri: Sekuestrohen 500 kg marihuanë me vlerë 5 mln euro

Këto jane pamjet e skafit me fuqi oqeanike, i cili po transportonte nga Shqipëria për në itali një sasi rreth 500 kilogram lëndë narkotike, e cila në rast se do të shitej do të kapte shifrën e 5 milion eurove.

Droga, e cila mendohet se është nisur nga Shqipëria është hedhur në det nga trafikantët, të cilët megjithëse kanë qenë në ndjekje nga policitë e tre vendeve, shqiptare, italiane dhe malazeze, kanë mundur tu shpëtojnë.

Në një dalje për mediat, Drejtori i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, Genc Merepeza ka bërë me dije se policia shqiptare ka marrë informacion për ngarkesën që në datën 1 shkurt dhe për këtë ka njoftuar edhe palën italiane.

“Falë operacionit të përbashkët u sekuestrua sasia e lëndës cannabis sativa por trafikantët arritën t’i shpëtonin forcave të policisë së tre vendeve të aktivizuara në këtë operacion.Policia shqiptare në datën 1 shkurt mori një informacion që një mjet rreth 20 milje nga bregu shqiptar do të bënte shkëmbimin e një sasie lënde narkotike me një peshkarexhë të huaj të dyshuar si italiane.Ky informacion u nda me homologët italianë me Guarda Di Finanza, me zyrën Interforce dhe gjatë gjithë kohës së bashku me kolonelin kemi ndjekur informacionin për identifikimin e mjeteve.Nga ndjekja që iu bë nga roja bregdetare e Malit të Zi dhe Policia Kufitare, ky mjet arriti të largohej.Gjatë zhvillimit të operacionit, nga ndjekja që u bë nga Guarda Di Finanza nga toka dhe nga ajri, mjeti për të shtuar shprejtësinë e të largohej sa më shpejt hodhi ngarkesën në det, ngarkesë e cila u sekuestrua nga Guarda Di Finanza e Italisë", tha ai.

Por zyrtari i policisë se shtetit nuk ka dashur të japë sqarime në lidhje me identitetin e trafikantëve apo nga cila zonë mendohet të jetë nisur droga.

Ndërsa për përfaqësuesin e Guarda di Financës pamjet dhe fotot e bëra gjatë operacionit të ndjekjes do t’i çojnë drejt trafikantëve.

“Me provat që kemi me fotot dhe me filmimet, kemi të gjitha mundësitë për të bërë identifikimin e mjetit lundrues që u përdor për këtë trafik”.

Sipas mediave italiane droga u zbulua në mënyrë rastësore nga nje avion patrullues italian, që prej kohësh po mbikqyrin detin për shkak të krizës së emigrantëve dhe mundësisë së përfshirjes së Italisë në intinerarin e tyre.

Ata deklaruan gjithashtu se kanë njoftuar autoritetet shqiptare dhe italiane për të bashkëpunuar në kapjen e autorëve dhe zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe janë vënë në ndjekje të tyre.

Pasi kanë pikasur se janë në ndjekje, trafikantët kanë ndryshuar kurs duke u larguar drejt ujrave territoriale të Malit të Zi, ku dhe kanë hedhur në det sasinë e lëndës narkotike dhe më pas janë larguar.

Nga hetimet paraprake dyshohet se droga vinte nga zona veriore e Shqipërisë.