Kurti thotë se rruga e Mustafës e Thaçit çon Ballkanin në luftë

  • 05 February 2016 - 23:53
Kurti thotë se rruga e Mustafës e Thaçit çon Ballkanin në luftë

Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se nëse Kosova vazhdon rrugëtimin e saj, me hapat e kryeministrit Isa Mustafa e zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, gjasat janë që brenda 4 apo 5 vjetësh në Ballkan të ketë luftë.

“Nëse vazhdojmë në këtë rrugë, të Thaçit e Mustafës, Vuçiqit Dodikut, brenda 4-5 vjetësh gjasat janë më shumë që të ketë luftë se sa mos te ketë në Ballkan”, tha Kurti.

Ai tha se kjo Qeveri duhet të shkojë përpara se ta ringjallë Asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Ndërsa, sa i përket zgjedhjes së Thaçit president, Kurti tha se kjo nuk po bëhet për shkak të opozitës, dhe jo se nuk i ka deputetët e LDK’së, pasi opozita do të hidhte gaz në atë seancë.

“Ka ardhur koha që të mos ketë seanca të Kuvendit. Thaçi i ka deputetët e LDK’së, ai nuk po zgjidhet për shkak të opozitës”, tha Kurti për RTK’në, transmeton ksp.

E për këtë Kurti tha se opozita ka gaz lotsjellës mjaftueshëm.

Tutje, ish-kryetari i Vetëvendosjes tha se Vetëvendosje nuk po proteston kundër Qeverisë, por po proteston kundër Qeverisë që e solli “Zajednicën”.

Sipas tij, Isa Mustafa është totalisht i parashikueshëm nga kundërshtari dhe për këtë arsye ai nuk duhet të dërgohet në bisedime.

Në pyetjen rreth qëndrimit të VV’së në raport me ndërkombëtarët, Kurti tha se aleanca me SHBA’të është e thellë dhe ajo duhet të zgjerohet.

“Aleanca me SHBA’të është e thellë. Kjo aleancë duhet të thellohet dhe zgjerohet. SHBA’të na ndihmojë ta formojmë veten. Nuk kemi nevojë për aleatë të rinj, por për aleanca të reja”, tha ai.