Kryebashkiaku gjerman: Vajzat provokojnë ngacmime seksuale

  • 05 February 2016 - 23:59
Kryebashkiaku gjerman: Vajzat provokojnë ngacmime seksuale

Kryebashkiaku i Bad Schlema, në Saxnoy të Gjermanisë, Jens Muller ka deklaruar se “vajzat e vogla provokojnë ngacmim seksual”. Ndërkohë, banorët e këtij qyteti të vogël kanë mbetur pa fjalë nga ajo që kanë dëgjuar nga kryetari i tyre i bashkisë.

Sipas gazetës gjermane “FreiePresse”, komentin Muller e ka bërë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak javën e kaluar, pasi një i moshuar ngriti shqetësimin se vajzat e vogla ishin subjekt i ngacmimeve seksuale gjatë kohës që shkonin nga shkolla në shtëpi.

I moshuari e ngriti këtë problem pasi mbesa e tij, e cila është më e vogël se 10 vjeçe, ka qenë viktimë e një sjelljeje të tillë.

“Vajzat ngacmohen nga fëmijët e refugjatëve”, tha ai.

Ndërkohë, përgjigja e Muller-it ishte: “Kjo është e thjeshtë, thjeshtë mos provokoni”. Gjithashtu ai sugjeroi se vajzat të përdorin rrugë alternative për t’u kthyer nga shkolla në shtëpi.

Menjëherë, komenti i tij ka shkaktuar zemërim tek banorët, të cilët e akuzojnë kryebashkiakun se po fokusohet më shumë tek viktimat sesa tek agresorët. Shumë të pranishëm në mbledhje reaguan me fyerje ndaj kryebashkiakut, sa që ky i fundit kërcënoi se do të thërriste policinë.