Sa është i rrezikshëm kërcënimi i ISIS-it për Amerikën?

  • 06 February 2016 - 00:04
Sa është i rrezikshëm kërcënimi i ISIS-it për Amerikën?

Sipas akuzave të FBI-së, 32 kanë shprehur interesim për të kryer sulme në tokën amerikane me 28 prej tyre që kanë ndërmarrë hapa për të kryer sulme. 17 nga këta persona janë përcjellë nga FBI-ja teksa kanë bërë plane për sulme, ndërsa pesë kanë qenë në komunikim me një anëtar të Shtetit Islamik. Katër persona kanë besuar që po kontaktonin me Shtetin Islamik, mirëpo në fakt po bisedonin me një agjent të FBI-së. Dy terroristë kanë kryer një sulm në Garllënd të Teksasit në maj të vitit të kaluar, mirëpo ishin qëlluar nga policia para se ta vrisnin ndonjë person. Dy të tjerë kanë kryer një sulm në San-Bernardino të Kalifornisë në muajin dhjetor, duke vrarë 14 persona dhe duke lënë 22 të tjerë të plagosur.

Sipas provave të ‘The New York Times’ dhe Qendrës për Siguri Kombëtare në Shkollën Juridike të Universitetit ‘Fordham’, asnjëri prej të akuzuarve për organizimin e sulmeve nuk ka marrë udhëzime specifike nga Shteti Islamik jashtë SHBA-së, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

ISIS-i ka demonstruar një aftësi për t’i koordinuar sulmet në Evropë nga Lindja e Mesme, mirëpo fati i njëjtë nuk e ka gjetur SHBA-në, ku sulmet zakonisht janë ‘individuale’.

Injorohet roli i ISIS-it

“Ndonëse ISIS-i vazhdon të jetë një forcë brutale dhe vrasëse, operacionet e tij në SHBA janë injoruar totalisht”, ka thënë drejtoresha e qendrës, Karen J. Greenberg.

Ndonëse planet për sulme të brendshme janë alarmante dhe në rritje, zonja Greenberg ka thënë që motiv kryesor i njerëzve, që jetojnë në SHBA e që janë inspiruar nga ISIS-i, ka qenë lufta jashtë vendit. Një e treta e të akuzuarve kanë qenë duke diskutuar planifikimin e një sulmi në SHBA, ndërsa pjesa tjetër ka planifikuar që të dilte jashtë vendit për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.

Sipas akuzave të lëshuara nga FBI-ja, 56 persona kanë dashur të shkonin jashtë vendit për t’iu bashkuar Shtetit Islamik ose për t’i ndihmuar dikujt që ta bënte një gjë të tillë. 37 persona kanë ndërmarrë hapa për të udhëtuar drejt Irakut, Sirisë apo Libisë, 28 janë arrestuar në SHBA kur po planifikonin të niseshin.

Pesë të tjerë kanë arritur të udhëtojnë jashtë vendit me qëllim për t’iu bashkuar Shtetit Islamik, mirëpo janë kapur - 3 persona i janë bashkuar Shtetit Islamik në Siri.

(Kosova Sot)