Masakra e Elbasanit, ngjarja u filmua nga kamerat

  • 06 February 2016 - 11:09
Masakra e Elbasanit, ngjarja u filmua nga kamerat

E gjithë lufta e ndodhur në Elbasan më 3 shkurt 2016 është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe skema është zbardhur nga hetuesit, megjithëse policia nuk jep shumë detaje në këtë aspekt.

Gazeta ‘Shqiptarja.com’ shkruan se vrasësit kanë përdorur një makinë tip ‘BMW X5’ me timon anglez, pra timoni është nga ana e djathtë. Automjeti dyshohet se ka ardhur nga Elbasani në drejtim të Librazhdit. Para se të mbërrinin në lokal, drejtuesi fiku dritat e makinës dhe ndaloi para sheshit të lokalit të familjes Çapja. Duke qenë se makina është me timon anglez, njëri nga vrasësit ndodhej në sediljen e parë të pasagjerit dhe qëlloi pa dalë fare nga makina me xhamin e ulur.

Vrasësi i dytë doli nga dera e pasme e të njëjtit kah, kurse vrasësi i tretë doli nga dera e pasme e kahut të shoferit dhe hapi zjarr duke u mbështetur tek kofano e makinës. Të tre, lëshuan mbi 11 personat në lokal plot 65 fishekë, duke lënë të vdekur 3 persona e plagosur 8 të tjerë. E gjithë ngjarja ndodhi brenda 1 minute. Më pas, autorët u larguan me shpejtësi drejt Librazhdit, por pa xhiruar gomat e makinës, çka do të thotë se nuk kanë lënë gjurmë gomash në vendin e krimit.
Kamerat e sigurisë e kanë filmuar këtë moment, por duke qenë se ishte errësirë, nuk duken fytyrat e vrasësve. Hetuesit thonë vetëm se ata ishin të veshur me uniforma ushtarake.

Edhe gjatë ditës së djeshme, blutë, RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë kryer kontrolle në 16 banesa në të gjithë qarkun e Elbasanit. Gjithashtu, janë kontrolluar 13 automjete të ngjashme me ato të autorëve të krimit si dhe janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 19 persona.

Burime zyrtare nga policia lokale, bënë me dije se ka arritur në 100 numri i personave të shoqëruar për ngjarjen që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në një lokal në Krastë. Ndërkaq, në lidhje me ngjarjen e rëndë ku mbetën të vrarë: 50-vjeçari Agron Çapja, nipi i tij 27-vjeçar, Ardit Sinakoli dhe i afërmi i tyre 38-vjeçar, Eno Bedalli si dhe u plagosën: Ardian Zharri, Fejzulla Çapja, Ferit Muça, Luan Muça, Bujar Rreshka, Florenc Çapja, Arnold Çapja si dhe Erdis Sulku po hetohet në disa pista.

Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet që masakra të ketë ndodhur për hakmarrje dhe se mund të ketë marrë shkas nga konfliktet e vjetra mes familjeve Çapja dhe Mema. Publikimi në media i hetimeve që po bëhen për hasmëritë e vjetra mes dy familjeve në fjalë ka pasuar me reagimin e të afërmve të familjes Mema në qytetin e Elbasanit. Në një deklaratë me shkrim të shpërndarë dje në redaksitë e lajmeve në emër të kësaj familjeje, thuhej se mbiemri i tyre është keqpërdorur dhe se policia duhet të vazhdojë punën për zbardhjen e ngjarjes. Në një linjë kanë qenë dhe të afërm të familjes Çapja, të cilët dje deklaruan për “Gazeta Shqiptare” se ua kanë lënë në dorë organeve të drejtësisë zbardhjen e ngjarjes.

Reagimet e familjeve Mema dhe Çapja

Të afërm të familjes Mema në Elbasan kanë qenë në fokusin e Policisë. Mësohet se RENEA ka kryer kontrolle të imtësishme edhe në banesat e tyre. Sipas bluve, natën që ka ndodhur krimi, ata kanë qenë në banesat e tyre. Ndërsa, edhe në ditët në vijim, lëvizjet e të afërmve të familjes Mema kanë qenë të qeta dhe rutinë, si çdo ditë tjetër. Policia ka pohuar se në një deklaratë të shkurtër, familja Mema ka kërkuar më shumë kujdes nga media, nga mënyra se si kjo e fundit e ka përdorur mbiemrin e tyre.

“Mbiemri ynë është keqpërdorur nga ana e medias dhe veçanërisht nga shtypi i shkruar. Ne jemi larg kësaj ngjarjeje dhe këtij konflikti që po përflitet. Qyteti i Elbasanit na njeh se cilët jemi, ndaj u kërkojmë mediave që t’u referohen vetëm burimeve zyrtare, pasi aludohet për lidhje familjare që nuk ekzistojnë. Gjithashtu, u kërkojmë strukturave shtetërore që të vazhdojnë punën për zbardhjen e ngjarjes”, citohet në deklaratën e familjes Mema.

Po dje, nga ambientet e Spitalit të Traumës në Tiranë reaguan dhe të afërm të familjes Çapja. Ata pohuan për Gazetën se “gjithçka që është thënë deri më tani në lidhje me ngjarjen, nuk është e vërtetë. Ia kemi lënë në dorë policisë që të zbulojë autorët e ngjarjes. Ne nuk kemi parë asgjë se cilët ishin ata që na qëlluan me breshëri armësh në lokal. Policia të identifikojë dhe të kapë autorët”.

Hetimi

Burime pranë grupit hetimor u shprehën se dyshohet që masakra të jetë kryer nga persona me pagesë. Sipas tyre, po kontrollohen pamjet filmike të kamerave të sigurisë. Ndërsa, mësohet se kamera e lokalit ku ndodhi ngjarja ishte jashtë funksionit dhe se ekzekutorët janë treguar të kujdesshëm, duke parkuar dy makinat e tyre jashtë rrezes së tyre. Një nga pistat kryesore të hetimit është ajo e hakmarrjes ndaj familjes Çapja. Një tjetër pistë është edhe në lidhje me pazaret e prishura të drogës, duke marrë parasysh faktin se në lokal ndodhej edhe Eno Bedalli, ky i fundit i etiketuar nga policia italiane si trafikant droge.

(Kosova Sot)