Gecaj: Politikanët duhet të bëhen burra e të merren vesh

  • 06 February 2016 - 11:21
Gecaj: Politikanët duhet të bëhen burra e të merren vesh

Veprimtari i njohur shqiptaro-amerikan, Rrustem Gecaj, i cili njihet për kontributin e tij të madh për çështjen e Kosovës në Kongresin Amerikan, para dhe gjatë luftës në Kosovë dhe tash me investime direkte, ka folur rreth krizës politike në Kosovë.

Gecaj theksoi se pamjet që po i shohin nuk janë aspak të mira. “Pamjet të cilat po i shohim nuk janë aspak të mira për asnjërën palë. Duhet të bëhen burra, të ulen në tavolinë dhe të merren vesh”, ka thënë Gecaj.

Ai  në një intervistë për Indeksonline ka folur edhe për kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, për të cilin ka thënë se e ka mik të afërt.

“Ne kemi takime, i kemi miq Haradinajt. E gjitha çfarë mund të them është që duhet shkuar sipas ligjeve të Kosovës. Sa i përket reflektimit të z. Haradinaj, unë nuk mund të përgjigjem, sepse nuk kam parë asnjë reflektim, por ata atje duhet të ulen dhe të punojnë së bashku”, ka shtuar Gecaj.

Duke folur për të preferuarin për president të SHBA-ve nga shqiptarët atje, Gecaj ka thënë se Hillary Clinton është më e favorshmja për ne.

“Hillary Clinton, ajo është më e favorshmja për ne edhe kishte me qenë më mirë, gjithsesi familja Clinton janë shumë të afërt me shqiptarët, gjithmonë na kanë ndihmuar dhe i kemi miq shumë të mirë. Në të gjitha aspektet zgjedhja e saj kishte me qenë e mirë për Kosovën”, është shprehur Gecaj, duke shtuar më pas se për të mirën e kombit duhet të bashkohemi dhe të punojmë të gjithë së bashku.

(Kosova Sot)