Kanada tërheq sanksionet ekonomike kundër Iranit

  • 06 February 2016 - 11:34
Kanada tërheq sanksionet ekonomike kundër Iranit

Kanadaja dje i ka tërhequr sanksionet ekonomike kundër Iranit, kështu që tash kompanitë nga ky vend mund të angazhohen në biznese në dhe me Iranin.

Kanadaja, e cila nuk ishte pjesë e marrëveshjes ndërkombëtare atomike me Iranin, por e ka mbështetur atë, ka njoftuar se i vazhdon kufizimet vetëm për eksportin e teknologjisë bërthamore dhe shitjet e ndërlidhura me zhvillimin e raketave balistike.

“Kompanitë e Kanadasë tash do të jenë në gjendje ta pozicionojnë vetveten për mundësi të reja tregtare, por ne do të mbajmë, po ashtu, kontrolle rigoroze në çfarëdo eksporti, që i shton shqetësimet serioze për zgjerim atomik”, ka thënë ministrja e tregtisë e Kanadasë, Chrystia Freeland.

Kanadaja, po ashtu, ka ofruar ripëtritje të raporteve diplomatike me Teheranin, që u ndërprenë në vitin 2012.

Në atë kohë, qeveria e përparshme konservatore e pat kritikuar Iranin për mbështetjen e regjimit të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, për “nxitjen e gjenocidit” nga Teherani kundër Izraelit, dhe për dështimin e liderëve iranianë për të dhënë llogari për programin atomik të Iranit.

Për shkak të sanksioneve pothuajse totale ekonomike ndaj Iranit, eksporti i Kanadasë në këtë vend, ka rënë në 48 milion dollarë në vitin 2014, nga 556 milionë dollarë sa ishte në vitin 1997.

(Kosova Sot)