OKB: 20 mijë sirianë janë tubuar në kufi me Turqinë
Afro 20 mijë sirianë janë tubuar në kufirin me Turqinë, pasi janë larguar nga ofensiva e forcave të qeverisë së Sirisë afër qytetit Alepo.
Ishte raportuar për luftime të ashpra ndërmjet kryengritësve dhe forcave qeveritare siriane, të mbështetura nga sulmet ajrore të Rusisë, që praktikisht e kanë rrethuar qytetin Alepo, i cili është bazë e kryengritësve.
Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër tha se nga luftimet e djeshme në vendin Ratian afër Alepos, janë vrarë afro 120 vetë nga të dy palët.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për çështje humanitare tha se vlerësohet se “afro 20 mijë njerëz janë tubuar në vendkalimin kufitar, Bab al-Salama, ndërsa 5 - 10 mijë njerëz janë zhvendosur në qytetin Aziz” në afërsi.
Konsiderohet se afro 300 mijë njerëz janë bllokuar në Alepo, pasi rruga kryesore e furnizimit është ndërprerë nga forcat qeveritare gjatë ofensivës, e cila ka shkaktuar ndërprerjen e bisedimeve për paqe në Siri, që patën filluar këtë javë në Gjenevë të Zvicrës.
(Kosova Sot)