Dritat që i rregulloi kompania serbe në Mitrovicë, nuk punojnë

  • 06 February 2016 - 14:19
Dritat që i rregulloi kompania serbe në Mitrovicë, nuk punojnë

Mungesa e ndriçimit publik vazhdon të jetë problem për disa rrugë të Mitrovicës. Edhe pse nuk ka shumë kohë që dega e kompanisë “HesaLight” në Serbi, ka fituar kontratë për ndriçim publik në vlerë afro 1 milion euro nga Komuna e Mitrovicës, qytetarët e Mitrovicës ankohen për mungesën e ndriçimit.

Sipas qytetarëve, mungesa e ndriçimit është e vërejtshme në çdo pjesë të qytetit, mirëpo në disa lagje me të largta, ata konsiderojnë që ky problem po shkakton rreziqe.

Grupi i pavarur i shoqërisë civile “Tjetërqysh”, e ka ngritur këtë problem, dhe po kërkojnë zgjidhje të problemit, por edhe përgjegjës për cilësinë, pasi sipas tyre, dritat janë ngjitur vitin e kaluar dhe me një shumë mjaft të lartë.

Anëtari i këtij grupi, Besart Peci, ka treguar se ndjehet i indinjuar me këtë problem, dhe kërkon që kompanisë t’i kërkohet zëvendësimi i dritave, me disa të tjera më kualitative.“Dritat janë vënë vitin e shkuar, madje tenderi ka kushtuar afro 1 milion euro, ndërkaq shumica e këtyre dritave nuk punojnë më. Dikush duhet të jap përgjegjësi për këtë” – është shprehur Peci për Gazetën Monitor.

Sipas “Tjetërqysh”, ndër vendbanimet më të mëdha në Mitrovicë, Suhodolli, vazhdon të ketë mungesë të ndriçimit publik, ani pse fluksi i qarkullimit të qytetarëve është i madh. Gjithashtu rruga Ramadan Peci në Iliridë ka mungesë të ndriçimit publik dhe ka kohë që banorët janë ankuar për këtë gjë.

Qytetarët kanë kërkuar nga organet përgjegjëse që sa më parë të intervenojnë për çështjen në fjalë dhe t’i shqyrtojnë mundësitë për zgjidhje të këtij problemi, i cili po e vështirëson qarkullimin e qytetarëve, e në veçanti të nxënesve.

Këtu shihen dy fotografi të realizuara natë, dhe duket mosfunksionimi i dritave:

(Kosova Sot)