Dy biznesmenë do t’ia kthejnë buxhetit të shtetit rreth 400 mijë euro

  • 06 February 2016 - 15:23
Dy biznesmenë do t’ia kthejnë buxhetit të shtetit rreth 400 mijë euro

Për të mos shkuar në burg biznesmenët Arion Lleshi e Shpend Agani t’ia kthejnë shtetit mbi 400 mijë euro.

Lleshi e Agani lidhën marrëveshje për pranim fajësie me prokurorin special, të cilën më pas e pranoi edhe gjykata.

Pas aprovimit të pranimit të fajësisë, gjykata i dënoi LLeshin e Aganin me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1 mijë euro gjobë.

Sipas vendimit të gjykatës, këta të dy nuk do të shkojnë në burg nëse brenda 3 vjetësh nuk kryejnë vepra tjera penale.

Por gjykata i obligoi dy biznesmenët që t’ia kthejnë paratë buxhetit të shtetit për dëmin që me veprimet e tyre Prokuroria Speciale thotë se iu shkaktua Ministrisë së Shëndetësisë.

Lleshi e Agani nuk do të mund t’i shmangen burgut, nëse “në afatin e caktuar deri më 31 dhjetor 2016 nuk e kompensojnë dëmin që e kanë shkaktuar me veprën penale dhe atë që secili veç e veç në pjesë të  barabarta të kompensojnë shumën prej 400.000 eurove Ministrisë së Financave si dhe Administratës Tatimore në shumë prej 2228.60 euro”.

Gjykata ua ka mundësuar këtyre dy të dënuarve që kompensimin të mund ta kryejnë në tri këste. Dy të akuzuarit nga 100 mijë euro duhet t’i japin më 8 shkurt 2016.

Gjykata ka vendosur që kësti i dytë të paguhet deri më 30 qershor 2016 , ndërsa për secilin nga dy të dënuarit ta ketë vlerën e 50 mijë eurove, kurse i treti deri më 31 dhjetor gjithashtu në vlerën e 50 mijë eurove për secilin.

Biznesmenët e dënuar duhet që deri më 8 shkurt ta paguajnë edhe borxhin që kanë ndaj Administratës Tatimore, secili nga 1 mijë e 114.30 euro.

Lleshi e Agani ngarkoheshin për mashtrim dhe shmangie nga tatimi në procesin ku të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar janë edhe Ilir Tolaj, Zenel Kuqi, Florie Tahiri, Bekim Fusha, Valentina Haxhiu dhe Remzie Thaçi.

Prokuroria Speciale Lleshin e Aganin i akuzonte se në periudhën nga maji deri në dhjetor të 2011-ës, duke qenë bashkëpronarë të “KMI” Sh. P.K e kanë mashtruar Ministrinë e Shëndetësisë me anë të paraqitjes së rreme, ose fshehjes së fakteve.

Sipas aktakuzës dy biznesmenët këtë e kanë bërë duke “përdorur dokumente të falsifikuara gjatë pjesëmarrjes në tenderin ‘Klasifikimi dhe Shkatërrimi i Barnave me Afat të Skaduar’ dhe gjatë procesit të klasifikimit dhe shkatërrimit të barnave kanë falsifikuar fletë-peshimet e sasive të barnave me afat të skaduar”.

Prokuroria pretendonte se Lleshi e Agani me këto veprime i kanë shkaktuar dëm Ministrisë së Shëndetësisë në vlerën e 400 mijë eurove, njofton Kallxo.com.

Por këta të dy prokuroria i ngarkon edhe për shmangie nga tatimi, pasi sipas aktakuzës biznesi i tyre nuk i ka deklaruar 55 punëtorët e tij, duke i shkaktuar dëm Administratës Tatimore në vlerën e 2.228.60 euro.

 

(Kosova Sot)