AAK: S’ka qëndrim të prerë për pjesëmarrjen e Opozitës në takimin e Presidentes

  • 06 February 2016 - 16:17
AAK: S’ka qëndrim të prerë për pjesëmarrjen e Opozitës në takimin e Presidentes

Anëtari i Kryesisë së AAK’së, Muharrem Nitaj ka konfirmuar se Opozita s’ka qëndrim të prerë rreth pjesëmarrjes së Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt e Visar Ymerit në takimin e së hënës te Presidentja.

Nitaj ka thënë se në takimin e sotëm të liderëve opozitarë s’është marrë kurrfarë qëndrimi rreth kësaj teme.

“Në takimin e sotëm nuk kanë marrë një qëndrim të prerë rreth pjesëmarrjes në tryezës së Presidentes. Pjesën më të madhe të takimit ua ka marrë protesta e 17 Shkurtit”, ka thënë Nitaj.

Ndërkohë, Haradinaj, Limaj e Ymeri e kanë lënë si mundësi edhe ditën e nesërme për t’u konsultuar lidhur me pjesëmarrjen apo refuzimin e ftesës së Presidentes.

Ndërkohë, burime të Gazetës Express, kanë treguar se Haradinaj ka pothuajse qëndrim të prerë për të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja Jahjaga.

Lideri i AAK’së po planifikon të jetë pjesë e takimit të së hënës për të treguar qëndrimin dhe kërkesat e Opozitës për tejkalimin e bllokadës politike.

Ndërkohë, NISMA për Kosovën dhe Vetëvendosje kanë refuzuar pjesëmarrjen në takimin e Presidentes. Partia e Fatmir Limajt ka kushtëzuar pjesëmarrjen në takim vetëm nëse aty shpallet data e zgjedhjeve nacionale. 

(Kosova Sot)