Ja sa do rriten pensionet këtë vit

  • 06 February 2016 - 19:51
Ja sa do rriten pensionet këtë vit

Për rritjen e pensioneve në 2016, qeveria në Shqipëri do të japë 1.17 miliardë lekë. Një fond dy herë më i lartë ky, se ai që është dhënë një vit më parë për të njëjtin qëllim. Në dokumentin e Programit të Reformave Ekonomike, Këshilli i Ministrave ka miratuar lekët që do të jepen për rritjen e pensioneve.

“Niveli i shpenzimeve për Skemën e sigurimeve shoqërore për vitin 2016 parashikohet në masën 113.3 miliardë lekë, sa 7.4% e PBB-­së, nga e cila, për politikën e rritjes së pensioneve, është parashikuar një fond prej 1.17 miliardë lekësh”, ­ thuhet në programin ekonomik të qeverisë.

Në 2015 pensionet u rriten me 1.4% dhe qeveria akordoi një fond prej 554 milionë lekësh, dy herë më pak se ai që ka miratuar për 2016.

Sipas këtij parashikimi, pensionet për vitin 2016 do të pësojnë një rritje nga 1.4%­3%. Sipas qeverisë, përveç indeksimit me inflacionin, këtë vit do të bëhet edhe një rritje e lehtë për pensionet. Rritja nuk do të jetë e njëjtë për ta gjitha kategoritë. Qëllimi i qeverisë do të jetë rritja me kategorizim e pensioneve.

Për të mësuar se cilat kategori do të marrin më shumë rritje, sipas Ministrisë së Financave, është ende herët, por fondi që është parashikuar për pensionistët do të jepet deri në muajin korrik.

Pikërisht në këtë muaj qeveria indekson pensionet, aq sa ç’është niveli i inflacionit në vend.

(Kosova Sot)