Krimi në Elbasan: Kamerat 3D kanë filmuar gjithë aktin

  • 06 February 2016 - 20:35
Krimi në Elbasan: Kamerat 3D kanë filmuar gjithë aktin

Detaje të tjera mësohen për masakrën që ndodhi në Elbasan më 3 shkurt 2016 në lokalin e fisit Çapja. Deri tani është përfolur se kamerat e sigurisë nuk kanë mundur të filmojnë fytyrat e autorëve dhe se njësia që regjistronte filmimet është prishur për shkak të plumbave që janë qëlluar me breshëri.

Syri.net ka mundur të mësojë nga burime konfidenciale se kamerat e sigurisë së biznesit janë 3D (tredimensionale). Kjo do të thotë se këto kamera mundësojnë një fushëpamje prej 360 gradë dhe mund të shihet ngjarja nga tre dimensione të ndryshme.

Familja Çapja ruhej mjaft mirë duke pasur parasysh edhe konfliktet e vjetra që kishte. Një kamera ndodhej në murin e lokalit ku ndodhi krimi, kurse dy të tjera përreth vendngjarjes. Çka do të thotë se masakra është filmuar e gjitha dhe mund të shihet edhe në të gjitha dimensioned falë teknologjisë së lartë të kamerave të sigurisë.

Po të njëjtat burime, sqarojnë se nuk është dëmtuar njësia që ruan filmimet nga këto kamera. Deri tani, zyrtarisht nuk ka asnjë detaj dhe asnjë të dhënë për identitetin apo vendndodhjen e autorëve. Katër vrasësit ishin të veshur me uniforma policie dhe qëlluan 65 plumba mbi 11 anëtarët e fisit Çapja që ndodheshin në lokal, duke lënë të vdekur tre persona dhe 8 të plagosur.

(Kosova Sot)