“Belaja” vazhdon edhe pas kërkimfaljes

  • 06 February 2016 - 21:27
“Belaja” vazhdon edhe pas kërkimfaljes

Arsimi rrit tensionet PDK-LDK në Gjilan

PDK-ja, fajtor për gjendjen në arsim e bën drejtorin Nazmi Musa

“Nuk do të toleroj më gjuhë joparlamentare në seanca të Kuvendit Komunal”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi

Një debat për arsimin në Gjilan, që është zhvilluar për suksesin e gjysmëvjetorit të parë, ka shkaktuar tensione ndërmjet pozitës dhe opozitës (LDK-PDK) dhe, për fat të keq, në masë të konsiderueshme është reflektuar edhe te subjektet e tjera. Pozita, nëpërmjet Arben Mehmetit (LDK), që njëherësh është edhe kryesues i Komitetit të Arsimit dhe, të tjerëve, e ka mbështetur dhe lavdëruar punën e Drejtorisë së Arsimit, ndërkaq opozita (PDK e VV), është shprehur e pakënaqur me gjendjen në arsim, duke kërkuar që sukseset të maten përmes krahasimeve. Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, ka thënë se ai nuk bën krahasime ndërmjet kësaj dhe asaj qeverisjeje, por shprehet i bindur se sot, gjendja është dukshëm më e mirë se dje, ndërsa nesër duhet të jetë larg më mirë se sot, pavarësisht se kush vjen në qeverisje. Debati është karakterizuar nga gjuha e ashpër në disa momente, sidomos  ndërmjet drejtorit të Arsimit, Nazmi Musa dhe këshilltares së PDK-së, Leonora Bunjaku, aq sa kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi është detyruar të ndërhyjë dhe të kërkojë falje në emër të drejtorit të Arsimit, i cili ka refuzuar ta bëjë këtë. Ajo ka thënë se nuk do të tolerojë gjuhë joparlamentare  në seanca të asamblesë komunale. Por, çështja nuk është mbyllur me kaq.

 

Njëra sulmon, tjetra mbron 

Grupi i këshilltarëve të PDK-së nuk e mbylli problemin me kërkimfaljen e kryesueses, por vazhdoi me një reagim, duke thënë se këshilltarja e PDK-së, Leonora Bunjaku ishte fyer në asamblenë komunale nga drejtori Nazmi Musa. Në të njëjtin reagim, ata hedhin akuza mbi drejtorin e Arsimit, për siç thuhet, shkeljet e shumta në arsim, për disa sjellje të tij si dhe gjendjen e përgjithshme në arsim. Në reagimin e Grupit të këshilltarëve të PDK-së, përmendet moszbatimi i kritereve te regjistrimi i nxënësve, mungesa e bursave, konkursi për zëvendësime në shkolla dhe të tjera. Ndërkaq, Grupi i këshilltarëve të LDK-së është përgjigjur duke thënë se situata ishte provokuar nga opozita.

“Nuk është hera e parë që anëtarët e PDK-së bëjnë provokime të tilla, jo vetëm ndaj Nazmi Musës, por edhe ndaj kryetarit të Komunës dhe anëtarëve të tjerë të Kuvendit, me tendencë për të krijuar destabilizim dhe për të përfituar pandershëm poenë politikë, në mungesë të alternativave tjera për të kundërshtuar qeverisjen e tashme, e cila po realizon objektivat e saj duke iu shërbyer qytetarëve në mënyrën më të mirë të mundshme”. Njëherësh, ata i kanë dhënë mbështetje Nazmi Musës, duke e inkurajuar që të vazhdojë me këtë ritëm pune.

 

Mst: Me çka nuk pajtohet Musa?

 

Drejtori i Arsimit, Nazmi Musa i ka cilësuar të pavërteta vlerësimet e opozitës për gjendjen në arsim. “Reagimi i tyre vjen nga zjarrmia e humbjes së pushtetit. Gjendjen në arsim, më së miri e njohin mësimdhënësit, drejtuesit e shkollave, institucionet më të larta të Republikës dhe partnerët e shumtë që kemi”, ka thënë Musa. Ai mohon të gjitha akuzat e këshilltarëve të PDK-së në drejtim të tij, duke pyetur se kush i ka vërtetuar shkeljet ligjore që po i përmend opozita. “Akoma nuk keni mësuar se asamblistët nuk prezantojnë gjendjen në arsim, por këtë e bëjnë përfaqësuesit e arsimit. Detyra e asamblistëve është të vlerësojnë në bazë të raporteve të DKA-së, Komitetit të Arsimit dhe në bazë të qasjes në dokumente”. Musa rikujton se Komiteti i Arsimit ishte shpallur më i suksesshmi nga shoqëria civile. Ky vlerësim i është dhënë në bazë të punës dhe sukseseve, thotë ai...(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)