Pistë e re hetimesh për masakrën e Elbasanit

  • 07 February 2016 - 16:44
Pistë e re hetimesh për masakrën e Elbasanit

Pistat kryesore e hetimeve për masakrën me 3 të vrarë e 8 të plagosur që ndodhi të mërkurën e 3 shkurtit në Elbasan, mbetën hakmarrja dhe prishja e pazareve të drogës. Por grupi hetimor është fokusuar edhe në një pistë të tretë, atë të disa konflikteve të ndodhura së fundi mes anëtarëve të fisit Çapja.

Burime të rezervuara i thanë Tv Klan se në sitën e hetuesve do të kalojë dhe edhe këto ngjarje, të cilat nuk janë bërë publike kur kanë ndodhur, por që për hetuesit përbejnë indicie që mund të çojnë në zbardhjen e krimit.

Prokuroria nuk ka deri tani asnjë të dhënë mbi autorët. Nga pamjet filmike nuk është arritur të merret ndonjë material që të ndihmojë në zbulimin e identitetit të tyre, për shkak se ata kanë qenë të maskuar. As dëshmitë e disa prej të plagosurve nuk kanë dhënë ndonjë ndihmesë.

Prokuroria e Elbasanit është në pritje të ekspertizës balistike të tre armëve të gjetura në vendin e krimit, nga të cilat u qëlluan 65 plumba. Kallashnikovët do të kontrollohen edhe për gjurmë të mundshme të autorëve.

Nuk është përcaktuar ende numri i personave që kryen masakrën. Prokuroria ka dyshime se edhe numri i personave që gjendeshin në lokal është më i madh se 11 dhe se ata që i kanë mbijetuar sulmit po e fshehin këtë fakt.

FNSH dhe RENEA vazhdon të jetë e pranishme në Elbasan dhe vazhdojnë kontrollet në disa zona ku dyshohet se mund të fshihen autorët.  Në atentatin  e tre shkurtit mbeti i vrarë edhe Agron Çapja dhe Ardit Sinakolli. Ndërsa u plagosën edhe dy anëtarë të familjes Çapja, Florenci dhe Arnoldi, si dhe 6 të afërm të tyre.