MASHT-i lë peng shkollën “Lekë Dukagjini” në Prizren

  • 07 February 2016 - 17:54
MASHT-i lë peng shkollën “Lekë Dukagjini” në Prizren

Më shumë se 2 mijë e 334 nxënës të shkollës fillore “Lekë Dukagjini” në Prizren, vijojnë mësimin në gjendje të mjerueshme, pasi kjo shkollë gjërat elementare janë jofunksionale, përfshirë tualetin dhe muret e mykura.

Përfaqësues nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), në vitin 2009, i kishin filluar punimet në objektin e shkollës së mjekësisë, në një lokacion tjetër me qëllim që shkolla e mjekësisë të bartet atje dhe nxënësit e shkollës fillore “Lek Dukagjini”, të barten në objektin e shkollës së mjekësisë që është në të njëjtin oborr.

Për gjendjen e kësaj shkolle, drejtori i Arsimit në Komunë e Prizrenit, Nexhat Çocaj deklaroi se çështje e shkollës “Lekë Dukagjini”, që punon me tre ndërrime, tash e pesë vite kanë mbetur peng i MASHT-it, e cila e ka filluar ndërtimin e objektit të shkollës së mjekësisë nga marsi i vitit 2010, dhe ende nuk është lëshuar.

Sipas tij, drejtoria e Arsimit së bashku me drejtorin e shkollës “Lekë Dukagjini”, vazhdimisht kanë shpresuar se po përgatitet kjo shkollë, ndërsa objekti i shkollës ekzistuese të mjekësisë t'i jepet shkollës fillore “Leke Dukagjini”.

Kjo është edhe arsyeja pse Komuna e Prizrenit nuk ka mundur të planifikojmë zgjerimin e kësaj shkolle, meqë dy vite para se të niset kjo shkollë e re e mjekësisë në oborrin e shkollës “Lekë Dukagjini”, ishte vënë gurthemeli i ndërtimit të një shkolle po nga MASHT dhe pastaj kaloi poshtë.

“Është një problem akut i cili është i përsëritur tash e sa vite. Që nga paslufta, sepse është e vetmja shkollë në Komunën e Prizrenit që funksionon me 3 ndërrime dhe ky është problemi kryesor, ku nxënësit e kësaj shkolle ndjekin mësimet në 3 turne. Mundësit për të intervenuar në kushtet higjenik sanitare janë më të pakta në krahasim me shkollat tjera që janë më 2 ndërrime. Sa i përket investimeve të cilat janë bërë në këtë shkollë, pothuajse për çdo vit bëjmë lyerjen e objektit shkollor, intervenojmë për çdo vit në banka dhe karrige në këtë shkollë, kemi bërë edhe intervenimet në nyejt sanitare tre herë që prej 2009 e deri më sot dhe këtë vit, vitin 2016 përsëri e kemi në projektin buxhetor që të bëjmë në nyjet sanitare sepse kemi provuar një herë nga nyejt brenda problemin”, tha ai.

Çoçaj tha se Komuna e Prizrenit me buxhetin që ka, nuk ka mundësi të ndërrojë të gjitha bankat dhe karriget për një vit, sepse duhet marr parasysh që edhe shkolla ka buxhetin e vetë dhe komuna e pajisë me 100 banka, 300 karrige ose 400 karrige në vit por komuna nuk ka mundësi të bëjë më tepër.

Drejtori i shkollës, Xhemajli Dervishaj tha për KosovaPress se është problematike mirëmbajtja e shkollës, pasi shkolla është shumë e vjetër.

“Ky projekt, këto punime janë përfunduar para vitit të ri dhe tani janë funksionale, kanë qenë edhe më parë, por kanë qenë disa gabime teknike të cilat kanë mundësuar që aroma e keqe të mos vazhdojë por të kthehet në objekt. Tani me këtë ndërhyrje, sipas vlerësimeve tona kjo aromë e keqe në masë të madhe është eliminuar dhe tualete janë funksionale. Ndoshta dikush mund të ketë informacionin pak më herët edhe kjo është. Janë të renovuar dhe janë funksionale. Shkolla është e madhe dhe mund të ndodh ditët e fundit. Janë 2 mijë e 200 nxënës me 3 ndërrime dhe gjatë ditës ka mundësi që diçka të shkëputet dhe të prishet”, tha ai.

Këshilltari politik i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Petrit Kelmendi tha se shkolla e mjekësisë në Prizren “Luciano Motroni”, është njëri ndër objektet që është në implementim e sipër që nga viti 2009 por që ende nuk ka përfunduar. Kelmendi tha se në këtë shkollë 79% e projekteve janë të përfunduara, por për shkak të neglizhencës së operatorëve ekonomik nuk ka përfunduar tërësisht projekti.

“Realisht është njëri ndër objektet që është në implementim e sipër që nga viti 2009-2010, kemi qenë në implementim e sipër por ende nuk ka përfundua. Në këtë shkollë, kryesisht 79% e projekteve janë të përfunduara, ka mbetur edhe puna finale të përfundohet. Për shkak të neglizhencës së operatorëve ekonomik nuk ka përfunduar ky projekt por tash varet prej menaxherëve të projektit se çfarë rekomandimi do të jepen në mënyrë që personat kompetent të marrin vendim. Realisht kjo është një neglizhenca e operatorëve ekonomik të cilët sipas planeve dinamik është dashur ta përfundojë me afat kohor sipas kontratës, mirëpo menaxheri i kontratës edhe vitin e kaluar ia ka dhënë një shans që të përfundoj në vitin 2015. Mirëpo, këtë vit besoj që menaxheri i kontratës do të jep një propozim dhe personat përgjegjës do të marrin vendim”, shtoi Kelmendi.

Kelmendi tha se menaxherit i kontratës duhet të vlerëson punën,në rast se ai e vlerëson se me këtë operator nuk do të mund të ketë mundësi të përfundohet , do të bëjë një rekomandim për shkëputje të kontratës, pastaj do të përzgjedhjet një operator i ritë përfundojë brenda këtij viti.