Kosova ende pa asnjë padi kundër krimeve të Serbisë

  • 07 February 2016 - 20:51
Kosova ende pa asnjë padi kundër krimeve të Serbisë

Jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj qeveritarët kosovarë kishin deklaruar se do të kërkonin drejtësi për krimet e Serbisë.

Madje, një zotim të tillë Hashim Thaçi e kishte dhënë edhe para Këshillit të Sigurimit, në mbledhjen e 26 majit 2015, kur kishte deklaruar se do ta padiste shtetin serb për gjenocid në Kosovë.

Por, dështimin për ta bërë një gjë të tillë, edhe 16 vjet pas lufte, analistët politikë e shohin si dobësi të madhe shtetërore. Analisti Naim Rashiti beson se në Kosovë ende ka mënyra se si të kërkohet llogaridhënie për krimet e shtetit serb.

Ndërsa, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, dyshon nëse lidershipi kosovar e ka marrë seriozisht edhe gjetjen dhe arkivimin e provave dhe fakteve që do ta dëshmonin, herëdokur, kryerjen e gjenocidit në Kosovë, raporton KTV.

Për këtë arsye, edhe njohësja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Luljeta Aliu-Krasniqi, thotë se padia për Serbinë nuk është gjë e lehtë që mund të bëhet.