Kush po thotë ra opozita?!

  • 07 February 2016 - 22:44
Kush po thotë ra opozita?!

Anëtari i Kryesisë së AAK-së dhe zëdhënësi i kësaj partie, Muharrem Nitaj përmes një postimi në Facebook ka shkruar se opozita nuk ka rënë dhe se do të vazhdojë kundërshtimin ndaj qeverisjes Thaçi-Mustafa.

“Opozita edhe mund të mos jetë bashkë një ditë, sepse për këtë mund të ketë plot arsye, por fronti i përbashkët i krijuar tash e sa muaj, për të kundërshtuar degradimin e shtetit, është aq i fortë sa që nuk thyhet as lehtë e as për qejf”, ka shkruar Nitaj në Facebook.

Ja postimi i plotë i Nitajt në Facebook:

Sapo u bë publik lajmi se në takimin e nesërm te Presidentja, do të marrë pjesë Ramush Haradinaj, por jo edhe dy liderët e dy partive të tjera opozitare, u kall një pjesë e medias dhe sa prej analistëve të pushtetit filluan t'i fërkojnë duart se do të mund të hanë edhe për një kohë në grazhdin e pushtetit. 
Si rrufe u ngutën të flasin se si opozita u përça dhe pothuajse nuk arritën ta përmbajnë ekzaltimin që iu vërehej nga fjalët që i lidhin me aq vështirësi, ani pse pozat i marrin të analistëve.
6-të pikëshi i Zotit Haradinaj, për arsyet se pse ai shkon te Presidentja, ku janë edhe Isa e Hashimi, nuk shërbente për analizë, sepse detyra që kishin marrë ishte misioni i pamundur i tyre, për të argumentuar përçarjen e opozitës.
E kuptoj se ka pasur deklarata të pamatura edhe nga VV, por edhe nga Nisma e AAK, pse jo, sepse është pothuaj imagjinare ta mendosh se partitë me mijëra aktivistë e eksponentë, do t'i kenë të gjithë për vete, sepse gjithmonë do të gjendet dikush nga cila do parti, që në momente të caktuara do ta bëjë punën e huaj dhe do ta pi duhanin tinëz!
Por kjo është edhe e parashikueshme edhe e kuptueshme. 
Opozita edhe mund të mos jetë bashkë një ditë, sepse për këtë mund të ketë plot arsye, por fronti i përbashkët i krijuar tash e sa muaj, për të kundërshtuar degradimin e shtetit, është aq i fortë sa që nuk thyhet as lehtë e as për qejf. 
Është investuar shumë në krijimin e kësaj fryme, që tashmë i ka përfshirë pothuaj krejt shtresat e popullatës, që janë tubuar më shumë se kurrë dhe jo një herë!
Unë e besoj se rekordi protestuesve do të thyhet në këtë 17 shkurt, dhe kundërshtimi kundër binomit më famëkeq që ka pasur Kosova ndonjëherë, Thaçi-Mustafa, do të jetë më i fortë se sa që ata e mund ta mendojnë. 
Tashmë kundërshtimi kundër kësaj qeverisjeje, nuk është vetëm opozitar. Ai është kundërshtim popullor e qytetar. 
Ka disa njerëz që do të koriten, sepse vonë do të kujtohen t'i bashkohen popullit që po shtohet kundër Mustafës e Thaçit!
I njoh disa njerëz të ngjashëm që akoma i kanë librezat e partisë (komuniste) ne xhep, sepse qenë vonuar t'dorëzonin!