ISIS-i zbulon kampin e trajnimit në shkretëtirën egjiptiane

  • 07 February 2016 - 23:20
ISIS-i zbulon kampin e trajnimit në shkretëtirën egjiptiane

Shteti Islamik ka zbuluar një kamp të ri për trajnimin e xhihadistëve në shkretëtirën egjiptiane në kohën kur grupi po vazhdon të përbëjë kërcënim serioz për Gadishullin e Sinait. Fotografitë e publikuara janë nxjerrë në kampin e trajnimit Abu Hajr al-Masri, i emëruar sipas një xhihadisti të dikurshëm, kamp ky që është i vendosur në shkretëtirën e Sinait.

Grupi i vogël i të rekrutuarve shihen duke praktikuar përdorimin e armëve dhe duke iu nënshtruar trajnimeve të qëndrueshmërisë. Të gjithë luftëtarët janë parë të veshur me rroba krejtësisht të zeza dhe me maska ngjyrë bezhe, gjë kjo që besohet të jetë bërë për fshehjen e identitetit të tyre, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Në duar mbajnë armë automatike derisa shihen edhe duke i ushtruar formacionet e ndryshme ushtarake. Disa nga luftëtarët shihen edhe duke ushtruar kurset e sulmeve dhe mbrojtjeve, përfshirë këtu edhe kërcimin në mes të rrathëve prej metalit që digjen dhe zvarritjet nëpër tokë.

Turistët nuk i ndahen Egjiptit

Megjithatë, përkundër këtyre zhvillimeve dhe nivelit të ulët të sigurisë, Egjipti vazhdon të vizitohet nga një numër i madh turistësh nga e mbarë bota. Të kujtojmë që në muajin tetor të vitit të kaluar, pas shpërthimit të bombës në një aeroplan rus, e kishin humbur jetën 224 pasagjerë. Muajin e kaluar është sulmuar një hotel në Hurghada, me shumë banorë të hotelit që kanë marrë lëndime serioze. Ka pasur një sërë thirrjesh drejt Egjiptit për rritjen e masave të sigurisë në vend, sidomos pas shfaqjes së ISIS-it në Sinai.

Zyra e Jashtme vazhdon të paralajmërojë për rrezikun e lartë nga terrorizmi, ky institucion asnjëherë nuk ka këshilluar turistët që të mos shkojnë në vendet turistike buzë Detit të Kuq apo vendet tjera të regjionit.

(Kosova Sot)