Gjergji e Hebibi ende pa plotësim të procedurave për president

  • 08 February 2016 - 10:36
Gjergji e Hebibi ende pa plotësim të procedurave për president

Dy pretenduesit për president të Republikës së Kosovës, Ismet Hebibi dhe Seremb Gjergji ende nuk i kanë përmbushur procedurat që parashihen me Kushtetutë për të qenë kandidat për president.

Atyre iu duhen nga 30 nënshkrime të deputetëve për të qenë kandidat për president të vendit. E bazuar në sistemin qeverisës në Kosovë, sipas analistëve, vështirë se mund të arrijnë të plotësojnë kriteret për kandidaturë.

I bindur për fitore dhe për ndryshime të mëdha pas zgjedhjes së tij si president, i vetëquajturi kandidat për president Ismet Hebibi, ende nuk ka filluar procedurat e parapara me Kushtetutë për zgjedhjen e presidentit. Atij i duhen 30 nënshkrime nga deputetët e Kuvendit në mënyrë që t’i hyjë kësaj gare. Hebibi thotë për Radio Kosovën se ka biseduar me shumë deputet të cilët do ta mbështesin:

“Unë kam kontaktuar shumë deputet, ata janë shumë të dëshiruar për të ma dhënë nënshkrimin dhe me kanë premtuar se do të ma japin edhe votën kur bëhet zgjidhja definitive e presidentit… unë besoj se deputetet e dinë kush është Ismet hebibi dhe me kënaqësi do t’ia japin nënshkrimin”, thotë Hebibi.

Ndryshe nga Hebibi kandidatit tjetër pretendentë për president, Seremb Gjergji ka pesë vite që ka bërë të ditur se do të jetë kandidat i pavarur për president të Kosovës. Ai tashmë edhe zyrtarisht ka deponuar në Kuvendin e Kosovës, kërkesën për ta përkrahur me nënshkrime si kandidat për president të vendit. Gjergji tha se ka premtime nga disa deputetë që t’ia japin votën kur votohet për president.

“Presidenti përfaqëson unitetin me popullit dhe unë kam filluar prej partive në pozitë, dhe prej këtyre kam marrë katër përkrahje, dy nga LDK-ja dhe dy nga PDK-ja dhe pjesën tjetër jam orientuar kah opozita të cilat ende nuk kanë dalë me një qëndrim, por poashtu do t’i mbledh edhe nga grupet minoritare apo grupet etnike”, tha Gjergji.

Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë për President të Republikës së Kosovës. Albert Krasniqi nga KDI thotë se sistemi qeverisës në Kosovës ua vështirëson vullnetin e këtyre personave.

“Po të kishim një sistem të drejtpërdrejtë të zgjedhjes së presidentit , atëherë mundësitë kanë qenë edhe më të mëdha edhe për kandidatët që vijnë jashtë nga tabore politike. Për shkak se edhe me draftligjin që është bërë për zgjedhjen e presidentit ka paraparë që me 10 mijë nënshkrime të qytetarëve të mund të nominohet për postin e presidentit. Kështuqë, këto janë kandidatura të vetëshpallura, të cilat nuk kanë gjasa për të arritur ato çfarë po pretendojnë për shkak se sistemi ynë e pamundëson një gjë të tillë:, tha Krasniqi.

Ndërkohë kandidati i vetëm zyrtarë, në bazë të marrëveshjes për bashkëqeverisje mes LDK-së e PDK-së është zv.kryeministri Hashim Thaçi.

(Kosova Sot)