Shteti heq dorë nga liberalizimi i vizave

  • 08 February 2016 - 12:01
Shteti heq dorë nga liberalizimi i vizave

Ministria e Administratës Publike nuk do të merret me zgjidhjen e kontestit pronësor në mes të Avokatit të Popullit dhe Gjykatës Kushtetuese, e që është njëri prej kushteve kryesore për liberalizim të vizave.

Plotësimi i këtij kushti tani mbetet në dorë të këtyre dy institucioneve, që nuk po merren veshe për objektin ku do të vendosen që nga viti 2012.

Gjykata Kushtetuese e cila duhet ta lëshoj objektin aktual që gjendet në lagjen Pejton ngulë këmbë që të qëndroj ende aty, edhe pse ata e kanë të rezervuar hapësirën e punës në Pallatin e Drejtësisë.

Madje krerët e këtij institucioni i kanë dërguar ditë më parë një kërkesë MAP-it që t’i lejohet qëndrimi në këtë objekt.

Por zyrtarë brenda MAP kanë thënë se ky problem duhet të zgjidhet në mes të dy institucioneve dhe se për momentin nuk e ka ndërmend që të ndërhyjë.

“Gjykata Kushtetuese e ka objektin e saj në pallatin e drejtësisë. MAP shpreson që ky problem që ky problem të zgjidhet në mes të dy institucioneve. MAP për momentin nuk do të ndërhyje në këtë çështje”, kanë thënë burime të Ministrisë së Administratës Publike.

Çollaku: Të mos ketë presion për asnjërën palë

Se gjithçka për liberalizimi të vizitave varet nga ky kontest pronësorë e ka thënë edhe vet ministri i Integrimeve Evropianë, Bekim Çollaku.

Ai ditë më parë ka njoftuar se kanë plotësuar 6 kritere dhe kanë mbetur edhe dy të tjera të paplotësuar, e që njëra prej tyre është çështja e objektit të Avokatit të Popullit.

“Për Zyrën e Avokatit presim që të dyja palët të jenë të arsyeshme dhe të mos ketë presioni mbi asnjërën palë” ka theksuar ai.

Kurse, Avokati i Popullit që nga viti 2011 e deri më tani për të shfrytëzuar objektin ku qëndron duhet të paguaj nga 5 mijë euro qira.

Por as Avokati i Popullit e as Gjykata Kushtetuese nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga kërkesat e tyre.

Zyrtarë të Avokatit të Popullit kanë thënë se presin që vendimi i dhënë nga MAP-i gjatë vitit 2012 që përcakton zhvendosjen e institucionit të Avokatit të Popullit në objektin e Gjykatës Kushtetuese të respektohet nga kjo gjykatë.

“Ekziston një vendim i MAP-it, si ministri përgjegjëse për akomodimin e institucioneve publike, që nga viti 2012, që përcakton objektin ku aktualisht është Gjykata Kushtetuese, si objekt në të cilin do të vendoset institucioni I Avokatit të Popullit”, zëdhënësja e IAP-it, Majlindë Lulaj.
Ajo ka shpjeguar se Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) funksionon në objekt me qira që nga viti 201.

“Realisht, që nga gushti 2015, IAP vazhdon kontratën me pronarin e objektit ku funksionojmë, për periudha të shkurtra kohore, me shpresën se autoritetet përkatëse do të zbatojnë vendimin për akomodim”, thotë ajo.

Gjykata në heshtje

E ndërkaq Gjykata Kushtetuese nuk ka dashur që të deklarohet lidhur me këtë çështje.
Zëdhënësi iI kësaj Gjykate, Veton Dula ka thënë përmes telefonit se nuk dëshiron të përgjigjet.

“Nuk dëshirojmë që të përgjigjemi”, ka thënë shkurt Dula, raporton gazeta Fjala.

E ndërkaq deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija shpreson se çështja e avokatit të popullit të zgjidhet gjatë këtij muaji.

“Mendoj që është e padrejte prej Gjykatës Kushtetuese e cila vazhdon të jetë kriter në vazhdimësi i mos përmbushjes dhe detyrave tona. Por mendoj që Qeveria më nuk duhet të merret me Gjykatën Kushtetuese, por Qeveria duhet të gjejë një hapësirë për Avokatin e Popullit. Kam informacione se Qeveria është duke bërë përpjekje që gjatë këtij muaji ta siguroi objektin e Avokatit të Popullit”, citohet të ketë thënë deputetja Sahatqija.

Ndërkohë që gjetja e një objekti të përshtatshëm për Avokatin e Popullit është edhe një prej kritereve të Komisionit Evropian për plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave, që është kërkuar të plotësohet shumë shpejt.

(Kosova Sot)