Shqiptarja ikën me djalin 6 vjeç t’i bashkohet ISIS-it, i ati jep 180 mijë euro për ta rimarrë

  • 08 February 2016 - 13:09
Shqiptarja ikën me djalin 6 vjeç t’i bashkohet ISIS-it, i ati jep 180 mijë euro për ta rimarrë

Një nënë shqiptare, Valbona Berisha rezidente në komunën Barzago në rajonin e Lombardisë akuzohet nga drejtësia italiane për sekuestrim personi.

Më 17 dhjetor të 2014, 33 vjeçarja së bashku me djalin e saj vetëm 6 vjeç është larguar drejt Sirisë duke iu bashkuar Luftës së shtetit islamik ISIS.

Pak ditë më parë është zhvilluar në qytetin e Lekos në Veri të Italisë, seanca e parë gjyqësore ndaj ngjarjes së denoncuar rreth një vit më parë nga bashkëshorti i Valbona Berishës, Afrim Berisha.

46 vjeçari Afrim Berisha i martuar me Valbona Berisha, jeton në Itali prej vitit 1995, me profesion punëtor ndërtimi.

Çifti ka tre fëmijë, dy vajza e një djalë, raporton Ora News.

Për autoritetet italiane Afrim Berisha ka rrëfyer se më datën 17 dhjetor 2014 pasi ishte kthyer në shtëpi në orarin e drekës, nuk kishte gjetur djalin e vogël asokohe 6 vjeç, e as bashkëshorten e tij. Pak ditë më vonë, gjatë muajit janar të 2015 nga gruaja e tij Valbona kishte marrë mesazhin se ajo e djali ndodhen në Siri e se i janë bashkuar idealeve të luftës së shtetit islamik.

Në një tjetër mesazh ajo i dërgon dhe tre fotografi të djalit duke e siguruar se janë mirë.

Afrimi me ndihmën e një miku të tij shqiptar niset menjëherë drejt Turqisë për të kërkuar e rimarrë djalin e tij, por në kufi me Sirinë ndalohen nga një postobllok i luftëtarëve të ISIS duke u detyruar të kthehen pas.

Udhëtimin drejt Sirisë Afrim Berisha e tenton dhe një herë të dytë i gatshëm të paguaj dhe rreth 180 mijë euro në shkëmbim të djalit, para të mbledhura nga zemërgjerësia e miqve e të afërmve për ta ndihmuar, por pa asnjë rezultat.

Sipas hetimeve Valbona Berisha me djalin e saj 6 vjeç është larguar nga aeroporti i “Orio al Serio” i Bergamos drejt Stambollit e më pas ka udhëtuar drejt Sirisë.

Është lokalizuar se vendndodhja e saj në Siri ka qenë midis Aleppos e Racca.

Në komunën e vogël të Barzagos me jo më shumë se 3 mijë banorë, çiftin Berisha e njohin të gjithë.
Bashkëshortja e tij Valbona rreth 3 vjet më parë u mbulua me veshjen e gruas myslimane.

Për mediat italiane, banorët e qytezës së Barzagos e përshkruajnë çiftin Berisha “një familje me kulturë myslimane por jo integralistë”.

Po për mediat italiane të afërmit e çiftit Berisha janë të bindur se gjithçka ka ndodhur përmes internetit, me anë të të cilit Valbona ka hyrë në kontakt me luftëtarë të Kalifatit islamik e është bindur të braktis gjithçka duke marrë me vete djalin e saj 6 vjeçar e duke i lënë Afrimit dy vajzat më të rritura 10 e 8 vjeç.

Ekspertët e antiterrorizmit prej kohësh kanë verifikuar se djemtë në moshë të vogël janë më të preferuarit e luftëtarëve të ISIS, pasi mund të manipulohen, të stërviten e të përgatiten për Luftën e Kalifatit Islamik.

Ka kaluar më shumë se një vit nga dita kur Afrim Berisha nuk ka parë djalin e tij, tashmë 7 vjeçar e nuk ka më asnjë lajm nga bashkëshortja e tij Valbona. Pak ditë më parë Afrim Berisha, për të përditshmen “Il Giorno”, shprehet se ka frikë se mos djali i tij ka vdekur nën bomba apo në beteja lufte.

”O Zot nuk dua të jetë kështu por nuk kam më asnjë lajm”, thotë Afrimi.

Tre fotografitë e djalit që nëna e tij Valbona mi dërgoi në janar të 2015 tashmë janë në duart e policisë italiane e në dispozicion të hetimeve. Informacionet e autoriteteve italiane në bazë të analizave të sistemit GPS të celularit përcaktonin vëmendjen e Valbona Berishës e djalit të saj në Al-Bab, në veri-lindje të Aleppos, një zonë e zjarrtë lufte.”Kam frikë se djalit mos i ka ndodhur një gjë e keqe, mund ta kenë detyruar të luftoj dhe pse është i vogël e mund të ketë mbetur i vrarë në luftë”- shprehet Afrimi.

Nuk di çfarë të mendoj, po humb shpresën e se nuk do ta përqafoj më kurrë. Nuk pata mundësinë as ta përshëndesja para se të largohej”.

Në ndihmë të babait shqiptar është shprehur politikisht një vit më parë dhe senatori italian Paolo Arrigoni, i “Lidhjes së Veriut”.

Ai ka kërkuar një interpelancë parlamentare nën vëmendjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme e të Ministrisë së Brendshme.

“I kërkoj autoriteteve të shtetit italian, deklaronte një vit më parë senatori Arrigoni, iniciativa për të ndihmuar për të shpëtuar djalin e Afrimit nga duart e luftëtarëve të shtetit islamik”.

“Çfarë informacionesh ka shteti italian mbi këtë çështje?”

“Çfarë po bën për ta gjetur e riatdhesuar vogëlushin?”

Me vendimin e marrë pak ditë më parë Prokuroria italiane e qytetit të Lekos, me prokuror çështjesh Nikola Preteroti, nëna shqiptare Valbona Berisha 33 vjeç akuzohet për sekuestrim minoreni, të djalit të saj e emigracion klandestin.

(Kosova Sot)