U duk si grip, por pas 18 ditëve ia mori jetën pesëvjeçares

  • 08 February 2016 - 22:39
U duk si grip, por pas 18 ditëve ia mori jetën pesëvjeçares

Një vajzë 5-vjeçare, nëna e së cilës kishte menduar se ajo ishte ftohur, ka vdekur vetëm disa ditë më pas, si pasojë e një sëmundjeje të rrallë. Elizabeth Spencer në fillim dukej se kishte simptoma të gripit, si dhimbje koke, por të nesërmen i kishte rënë të fikët dhe me nxitim ishte dërguar në spitalin “A&E”, ku ishte vendosur në një komë të detyruar. Vetëm 18 ditë më pas, ajo ka ndërruar jetë. Virusi i ngjashëm me një ftohje të zakonshme, ka nxitur një gjendje autoimune aspak të zakonshme, që trupi i saj nuk kishte mundur ta luftonte, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image

Një ylber në qiell, ditën e varrimit të vogëlushes

Sëmundja “Hemophagocytic Lymphohistiocytosis” kishte ndikuar që trupi i saj të binte në një shok septik, duke ia dëmtuar organet kryesore, duke shkaktuar edhe ndërprerjen me gjak të gjymtyrëve. Elizabeth ishte dërguar në spitalin e fëmijëve në Bristol, por fatkeqësisht ndërroi jetë më 10 dhjetor, me gjithë faktin se mjekët kishin dhënë gjithçka për ta shpëtuar. Pasi që pajisjet ishin ndaluar dhe tubat ishin nxjerrë nga trupi i saj, një infermiere i kishte ndihmuar nënës së Elizabeth-ës, Natalia-s, t’i pastronte flokët e vajzës, tashmë të ndjerë, për të fundit herë. Në ditën e varrimit të saj, një ylber u shfaq në qiell, menjëherë pas shërbimeve të varrimit, derisa familja e saj kishte lëshuar disa balona në ajër, në shenjë përkujtimi për vajzën e tyre.

Image

E ëma mbledh fonde për vetëdijesim

Tani, e ëma e saj Natalia po mundohet ta luftojë dhimbjen duke mbledhur fonde për t’u vetëdijesuar, duke ecur nëpër të gjitha brigjet e Britanisë – pasi që hapësirat pranë detit ishin pjesa e preferuar e Elizabeth-ës. Natalia ka thënë: 'Nuk kam besuar se do të përfundojë kështu. Në mëngjes kam menduar se kishte grip dhe në mbrëmje më thanë se ka gjasa të mos i mbijetojë. Është shkatërruese për një nënë ta shikojë fëmijën në gjendje të tillë. Ishin këto 18 ditët më të rënda të jetës sime. Sistemi i saj imun e ka mbytur atë’. Natalia ka thënë se vajza e saj ishte një “vajzë e lumtur”, e këndshme, dhe kishte shumë ëndrra dhe kishte ëndërruar që të bëhej një punonjëse në kopshtin zoologjik. Me këtë rast, e ëma e vajzës thotë: “Unë kisha një vajzë shumë aktive. Ishte në gjendje të bënte pothuajse gjithçka. Ajo e dëshironte jetën dhe ishte plot me energji. Gjithmonë fliste dhe qeshte. Gjithmonë shkonim nëpër ekspozita, muze, kopshte zoologjike, parqe me natyrë të egër, piknik, pyje, ndërsa që ne menduam se ajo ishte ftohur. Në veçanti pëlqente plazhin. Kemi shkuar së bashku shumë pranë plazhit”.

(Kosova Sot)